Ndërkohë që po zhvillohej live mbledhja e Task Forcës për çështjen e turizmit në një resort në Durrës, mes kryebashkiakut të Lezhës dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka plasur një sherr edhe në prani të mediave që po transmetonin direkt aktivitetin.
I pari që ka reaguar me fjalë të ashpra ka qenë Ndreu, i cili ka akuzuar ministrin Lleshaj se, IKMT, po e shkatërron sezonin turistik duke bërë prishje objektesh pa paralajmërim.
Sipas tij për këtë çështje ka biseduar natën e djeshme edhe me Edi Ramën, të cilit i ka thënë se kryebashkiakët, nuk mund të trajtohen si policë në rresht.
Menjëherë pas kësaj ka ndërhyrë Lleshaj me tone të larta duke ‘kërcënuar’ Ndreun, se po ia kursen ato që do t’i thoshte në këtë rast.
Pasi debati është rënduar, ka ndërhyrë ministri Blendi Klosi, i cili ka kërkuar që të largohen mediet në mënyrë që mbledhja të zhvillohet pa kamera.
Debati i plotë Ndreu-Lleshaj:
Pjerin Ndreu: IKMT të vijë me një njoftim paraprak. Nëse më vjen ti mua papritur dhe më shemb disa objekte, ti ma shemb turizmin. Nëse bëhet kjo, unë si bashki nuk marr pjesë. Ia kam thënë kryeministrit mbrëmë dhe po e them edhe këtu: nëse ju mendoni se jemi policë të rreshtit, harrojeni. Kryetari i bashkisë boll është sulmuar, ka ardhë koha që ligji për qeverisjen vendore të shikohet me kujdes. Se boll, boll është bërë izolimi i kompetencave të pushtetit lokal. Sa ne të injorohemi në këtë mënyrë…
Bëj thirrje publikisht të ulemi e të diskutojmë e të bien dakord me pushtetin lokal. 30 vjet pa leje ndërsa tani në kohën e sezonit turistik mobilizojmë armë. Mesazhet nuk mund të vihen para institucioneve serioze. Nëse për ju nuk ekziston bashkia, në bashkinë Lezhë ka këshill.
Sandër Lleshaj: Do të thoja ca gjëra, por po i kursej ato që do të thoja këtu. IKMT është një strukturë ligjore e respektuar e cila ka mbajtur gjatë këtyre viteve një barrë të madhe në një vend të pushtuar nga paligjshmëria. IKMT e ka kryer këtë detyrë me shumë sukses. Ka goditur një pjesë të madhe të paligjshmërisë dhe këtë detyrë do të vijojë ta kryejë. Protokollet e IKMT janë të përcaktuara në ligj dhe zbatohen në mënyrë rigoroze. Sipas rregullave, nuk negociohet me kryetarin e bashkisë për të vendosur ligjin në një vend, ku është shkelur. IKMT do ta vazhdojë këtë punë bazuar në ligj, në raport me shkelësit IKMT do të veprojë drejtpërdrejt dhe nuk marrin autorizim as nga ministri dhe as nga kryetari i bashkisë dhe askush tjetër…
Nëse konstatoni shkelje të ligjit jeni të detyruar të ndërhyni si kryetarë bashkie. Duhet të rivendosni ligjin nëse dikush e ka shkelur atë.
Blendi Klosi: (Nuk le Ndreun te marre fjale) Të largohen mediet. Do ta vazhdojmë mbledhjen pa praninë e mediave…