Bizneseve u ka shkuar në javët e para të qershorit fatura që duhet të paguajnë për taksat lokale të këtij viti. Faturat kanë qenë të rritura për shkak të shtrenjtimit të tarifave të pastrimit pas një vendimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës, “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në Bashkinë e Tiranës”, që u mor në fund të 2019-s, për të cilin shumë biznese nuk kanë qenë në dijeni.
Këto fatura të shtrenjtuara, i kanë gjetur bizneset të papërgatitura, edhe për vetë faktin që po vuajnë pasojat e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik pas kufizimeve nga Covid-19.
Një subjekti të madh, detyrimi për taksat dhe tarifat vendore i ka shkuar 75,400 lekë për vitin 2020, nga 67 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 11%. Tarifa e përkohshme për infrastrukturën arsimore është 17 mijë lekë, e njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa tarifa e pastrimit nga 50 mijë lekë është 57,500 lekë, me një rritje prej 15%.
“Cili zë i kostos është rritur që po i faturohet klientit apo çfarë shërbimi extra po ofrohet? Dhe a është proporcionale pagesa me impaktin sipas veprimtarisë? Unë kam një zyre 100m2 dhe taksa lokale 74,500 lekë me vit më duket afër kulmit të absurdit”, thotë Edona Bilali, administratore e AZ Consulting, një kompani konsulence në kryeqytet.