Donald Trump i kërkoi presidentit kinez Shi Gjinping ndihmë që të rizgjidhet president në 2020, shkruan në librin e tij të ri John Bolton, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare në administratën Trump, sipas disa pasazheve të librit të publikuara të mërkurën.
Gjatë takimit me zotin Shi në qershor të vitit të kaluar, presidenti “në mënyrë shokuese ndërroi bisedën duke u përqëndruar tek zgjedhjet presidenciale amerikane, duke aluduar mbi mundësinë që kapacitetet ekonomike të Kinës të ndikonin në fushatë dhe duke iu lutur zotit Shi të garantonte fitoren e tij,” shkruan ish-këshilltari i afërt i presidentit në librin e tij të ri që premton të jetë një botim bombastik, sipas personave që e kanë lexuar.
Në pasazhe të botuara nga The Washington Post, The New York Times dhe The Wall Street Journal, zoti Bolton shkruan se presidenti Trump theksoi rëndësinë e fermerëve amerikanë dhe si do të ndikonte tek rezultati i zgjedhjeve amerikane “shtimi i sasisë së sojës dhe grurit amerikan” që do të blinte Kina.
“Shtëpia e Bardhë” ka kërkuar ndërkohë ndalimin e botimit të këtij libri, me pretendimin se zbulon të dhëna konfidenciale.
Kritika të rënda kundër Trumpit
Në këtë libër ka fajësime të rënda ndaj presidentit Trump. Ish-këshilltari për siguri Bolton pohon, se Trumpi e ka lutur shumë herë Kinën që ta ndihmojë ate që të rizgjidhet në postin e presidentit amerikan.
Trumpi e ka hapur këtë temë në shumë takime me presidentin kinez Xi Jinping, thuhet në disa fragmente të librit, të cilat janë publikuar paraprakisht. Për shembull, Trumpi ka apeluar para një viti tek presidenti Xi që të importojë më shumë prodhime bujqësore amerikane, në mënyrë që presidenti amerikan të fitojë më shumë mbështetje tek prodhuesit bujqësorë.
Trumpi i shqetësuar tejmase
Presidenti Trump ka sulmuar ashpër ish-këshilltarin e tij në shumë intervista. Për televizionin Fox News ai tha se Boltoni ka shkelur ligjin me shkrimin e këtij libri dhe me pohimet që mund të lexohen atje. Trumpi e quajti Boltonin “gënjeshtar”, në një bisedë me gazetarët e revistës “Wall Street Journal”, duke shtuar se Boltonin “e kanë urrejtur të gjithë në Shtëpinë e Bardhë”.
Boltoni në këtë libër, nga i cili janë publikuar deri tani vetëm fragmente, ka prekur edhe “aferën e Ukrainës”, që ishte shkak për nisjen e procedurës së shkarkimit të Trumpit. Demokratët në opozitë kërkonin që Boltoni të ftohet në procesin e Impeachment-it si dëshmitarë, por këtë kërkesë e ka bllokuar shumica republikane e presidentit Trump.
Trumpi në fund është shpallur i pafajshëm ndaj akuzave për keqpërdorimin e postit në këtë aferë, por mbeten dyshimet se kritikat dhe akuzat nuk janë sqaruar deri në fund.
Trumpi akuzohej se ka bërë presion ndaj presidentit të Ukrainës, që të nisë hetimet për korrupsion kundër kandidatit demokrat për presiden Joe Biden dhe të birit të tij, si kundërshpërblim për ndihmat amerikane.
Boltoni ka qenë prej prillit të vitit 2018 deri në shtator 2019 këshilltar i Trumpit për siguri nacionale. Ai është shkarkuar nga ky post për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta me presidentin Trump, ndër tjerash edhe për qëndrimin amerikan ndaj Koresë së Veriut.