Të tjera detaje dalin në dritë nga dhunimi i avokatit Kujtim Cakrani mëngjesin. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në Vlorë tek ish-tregu i orizit.
Cakrani sapo kishte dalë nga një lokal, ku dy persona i kishin zënë pritë dhe kishin nisur ta gjuanin me grushte. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës dhe një çështje që po ndiqej nga avokati për një person që rezulton i zhdukur në Vlorë. “Hiq dorë, se do e kesh punën pisk”, mësohet t’i janë shprehur autorët avokatit.
Fill pas ngjarjes, agresorët ishin larguar me një BMW ngjyrë të zezë në drejtim të rrugës kryesore. Po ashtu bëhet e ditur se avokati ka marrë dëmtime të lehta në fytyrë. Aktualisht ai po jep dëshminë e tij në komisariatin e Vlorës, ku do të bëjë dhe denoncimin për rastin në fjalë.