Gjekmarkaj: A do ta lejojë Yuri Kim të turpërohet nga Edi Rama?

0

Nga Agron Gjekmarkaj*

Të premten Edi Rama u shfaq para shqiptare më i plakur se kurrë. Mbi supe kishte hedhur mantelin e frikës. Fytyra i tendosej nga nxitimi i atij që kërkon përsëri plaçkë.

Asnjë politikan shqiptarë nuk ka patur kurajo të shfaqet kaq besëprerë para shoqërisë, kundërshtarëve politikë dhe faktorit ndërkombëtar.

Me gjasë asnjë nuk e ka patur kaq të madh hallin. Ai nuk ka fuqi ta parashikojë jetën e tij jashtë zyrës së pushtetit. Një peng si spirancë e zhyt në ranishten e së shkuarës. Kryeministri i një mijë e një ndodhive paralajmëroi një grusht shteti nëpërmjet të cilit tenton të pengojë rrotacionin politik.

Me shpresën se rastësia do t’i regetijë si Mbret i Botes se pengesat dhe stërkëmbëshat e pandershëm do t’i japin ndonjë shans, po tenton të ndalojë koalicionet parazgjedhorë dhe të shkelmojë marrëveshjen e 5 Qershorit, produkt i Këshillit Politik dhe faktorit ndërkombëtar.

Ai dje konfirmoi faqe opinionit publik se Opozita dhe koalicioni i saj janë fituese, një fitore që atë e tremb, të cilën dëshiron ta manipulojë me truk duke kthyer edhe njëherë në pikën zero dialogun dhe provokuar derivatet e mungesës së tij. Rama kërkon tension e amulli, ekstremizem e dhunë për të dale nga qoshja e humbjes ku ndodhet.

Edi Rama së pari ka sfiduar ambasadoren amerikane, zonjën Juri Kim dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë si BE, Gjermania në veçanti, të cilët për të mos krijuar precedentin e largimit me forcë, për të mos legjitimuar djegien e mandateve si forme presioni mbajtje në pushtet Kryeministrin e cunguar, delegjitimuar e defakto të rrëzuar.

Asokohe ambasadorët kryesorë për çdo mushkonjë që kalonte në Bulevardin “Deshmoret e Kombit”  dilnin me një deklaratë kundër opozitës e cila dëmtoi interesat e veta por nuk shkoi në ndeshje pa kthim me ta. Propaganda e Rilindjes një e dy thoshte “e patë”, “e dëgjuat”, “Amerika foli, BE gjithashtu, ndaj sus”. Tani këtë e kanë harruar.

Ditën e enjte ambasadorja Kim një person racional e konkret, e qartë në elekuencën e saj, në emisionin “Real Story” të Sokol Balles  konfirmoi vullnetin e vet e të shtetit të saj që marrëveshja e 5 qershorit të votohej pa ndoshta e sikur, pa ndryshime madje pa i fshirë asnjë fije pluhuri që mbi fletë ka rënë prej një muaji që kur u firmos. Ajo shkoi pak më tej duke na kujtuar se rrotacioni është si qarkullimi i gjakut pa të cilin trupi vdes.

Po kaq Partitë Popullore Europiane, Komisioneri  Oliver Varhelyi, eksponent të Bundestagut kanë kërkuar të njëjtën gjë. Rama thotë nuk i pyes veçse harron që në pushtet e mbajtën këta gjatë kësaj kohe dhe jo Sandër kimiku me urrejtjen e tij për protestuesit.

Pyetja e madhe është a do të lejojë Juri Kim dhe të tjerët të turpërohen nga Edi Rama faqe gjithë shqiptarëve?! A mund te lejojnë këto shtete, SHBA në krye që ambasadorja e tyre të trajtohet si e mosqenë nga një sundimtar ballkanik me qindra mëkate nga pas? Nëse kjo ndodh, të gjithë ata humbasin të drejtën morale dhe fuqinë reale të ndikimit që sot e kanë për t’i thënë këtij populli si ta vendosë drejtësinë e nëpërkëmbur apo si ti rrezojë autokratet.

Përtej faktit që shumica e qytetarëve të zëshem e të pazësshem presin ditën e votimit për tu hakmarrë ndaj  qeverisjes së Edi Rames në mënyrë që oreksi i tij për pushtet të mos gëlltisë të ardhmen e fëmijëve të tyre, Opozita dhe pretendenti për Kryeministër Lulzim Basha  në fokus pa u shpërqendruar duhet të mbajë komunikim me ta  pa e anashkaluar mundësinë legjitime të rezistencës për të penguar rënien e zgjedhjeve dhe të demokracisë. Kushtetuta ndryshohet si vullnet politik i shoqërisë për ti përmirësuar asaj standardet e garancitë demokratike dhe jo për t’i siguruar pushtet një individi. Kjo ndodh në Rusi ku Presidenti Putin praktikisht do të rrijë në pushtet sat ë jetë gjallë pos ndonjë incidenti të paparashikuar. Atje demokracia është thjesht nocion teorik.

Nuk e kemi larg Beogradin ku miku i Ramës dhe Thaçit, Vuçiç pasi shkoi në zgjedhje pa opozitën dhe mori të gjitha pushtetet po përballet me flakët e revoltës dhe heshtjes ndërkombëtare. Kujtojmë këtu se Rama doli politikisht në raport me SHBA, Gjermaninë e Francën me brinjë të thyera në historinë e shkëmbimit  të territoreve mes Kosovës e Serbisë. Imazhi i njeriut me ndikim e lojtar mes fuqive u bë shkrumb e hi në zjarrin që po djeg kredibilitetin e Hashim Thaçit.

Presidenti i Republikës Ilir Meta si i vetmi institucion që nuk kontrollohet prej qeverisë, i cili shpesh termin “grusht shteti” e ka artikuluar për kapjen e Gjykates  Kushtetuese  jo pak herë ka kërcënuar për akte ekstreme.

Mbase asokohe jo pak është keqkuptuar, sidomos kur uli tonet me Ramën, por tani do të kuptohej më mirë nëse i kthehet asaj retorike sepse “grushti i shtetit” u paralajmërua dhe u vu në lëvizje. Për këtë do përdoret Kuvendi i gjymtuar, pseudoopozita parlamentare shumica  burra e gra qesharakë që nuk votohen nga familjaret e tyre, renegatë të Opozitës që inati ndaj Bashes i pa mbarim, i  ka shndërruar në konkubina të Rames të përdorur si prezervativë nga Kryeministri për të përdhunuar Kushtetutën.

Ilir Meta në momentin që legaliteti bie edhe formalisht duhet ta shpërndajë këtë parlament  me dekret dhe ti kërkojë ndihmë qytetarëve kundër represionit policor për të mbrojtur rëndin kushtetues. Të gjitha gjitha këto nëse Juri Kim nuk e mban dot fjalën e dhënë para shqiptarëve duke e zvogëluar Amerikën e madhe në sytë e tyre. Në këtë rast e madhe bëhet dalja jashtë kontrollit e shqiptarëve.

*Panorama

Artikulli i mëparshëmFOTO/ Juventus metalizato: prezantohet fanella e dytë për sezonin 2020/21
Artikulli i radhësJeff Bezos thyen rekordet e historisë me pasurinë e tij