Për disa minuta Noah Lyles ka ëndërruar se është futur drejt e në historinë e atletikës, pastaj erdhi zgjimi i hidhur. Eshtë i pabesueshëm episodi që ndodhi dje në rastin e Inspiration Games në Zyrih, ku atleti amerikan, kampion i botës në 200 metra në Doha, ka vrapuar distancën në kohën 18″90 sekondi, duke rrëmbyer rekordin botëror, që i përket të madhit Usain Bolt nga 2009, kur e ndali kronometrin në 19″19 sekonda.
Një lumturi e mbytur në fyt, duke parë se pak minuta më pas arbitrat kanë kuptuar se Lyles ishte nisur nga pozicioni i gabuar e kishte përshkruar vetëm 185 metra, 15 më pak se parashikimi.
Përvec befasisë, vjen edhe dëmi: Lyles është skualifikuar nga gara dhe fitorja i shkoi francezit Lemaitre. “Nuk mund të luhet me emocionet në këtë mënyrë… më vunë në korsinë e gabuar”, shkroi në twitter Lyles që në karrierë në 200 metra ka një rekord personal prej 19″50.