Spitali në Vatikan bën mrekullinë, ndan me sukses binjaket e ngjitura në kokë

0

Dy binjake të ngjitura me njëra-tjetrën në pjesën e kokës janë ndarë me sukses në një spital të Vatikanit.

Ervina dhe Prefina, të moshës 2-vjeçare, u ndanë pas një operacioni që zgjati 18 orë dhe ku morën pjesë 30 doktorë dhe infermierë. Operacioni u krye më 5 qershor dhe vogëlushet nga Republika e Afrikës Qendrore pritet të shërohen plotësisht.

Kjo është hera e parë që doktorët kanë ndarë me sukses binjakë të bashkuar në kafkë. Nuk ka asnjë rast tjetër në botë të një operacioni të tillë të suksesshëm.

“Ky është një nga bashkimet më të rralla dhe komplekse. Jemi përgatitur rreth një vit për këtë ndërhyrje”, tha shefi i spitalit, Mariella Enoc, i cili e takoi nënën e binjakeve gjatë një udhëtimi në Afrikë dhe i premtoi asaj se do t’i merrte me vete në Itali për operacionin.

Binjaket mbërritën në Itali në shtator 2018 me nënën e tyre Ermine dhe vetëm muajin e kaluar janë ndarë.

“Ishte një moment fantastik, një eksperiencë e papërsëritshme. Kemi punuar me pasion dhe optimizëm”, tha Carlos Marras, kreu i neurokirurgjisë së spitalit.

Nëna e binjakeve thotë se bëhet fjalë për një lindje të dytë: “Ervina dhe Prefina kanë lindur dy herë. Nëse do të qëndronim në Afrikë, nuk e di se si do të përfundonin vajzat e mia. Tani, vajzat mund të rriten, të studiojnë dhe të bëhen doktoresha që të shpëtojnë fëmijë të tjerë”.

Artikulli i mëparshëmFrika që vjen nga Ballkani/ Pandemia është në rritje, shqetësimi po ashtu
Artikulli i radhësGara hapësinore mes SHBA, Emirateve të Bashkura Arabe dhe Kinës: Eksplorimi i planetit Mars