Amnistia fiskale si vetting-u, si do të funksionojë njësia speciale brenda tatimeve?

0

Një Njësi Speciale në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, kjo do të jetë struktura kryesore që do të marrë përsipër zbatimin e amnistisë fiskale. Në mënyrë të ngjashme me strukturat e vetting-ut, detyrat e kësaj njësie nisin që nga mbledhja e formularit, tek verifikimi i fakteve dhe gjurmimi i çështjeve.

Plotësimi i formularëve për deklarimin e pasurive dhe të pasqyrave financiare do të bëhet në mënyrë vullnetare nga personat apo bizneset që duan të përfitojnë nga amnistia fiskale.

Më pas, do të jetë Njësia Speciale që do të koordinohet për të verifikuar faktet me bankat dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Po ashtu, në proces do të përfshihet edhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe institucione të tjera, për të përjashtuar nga falja paratë e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Për çdo aplikim, Njësia Speciale duhet të sigurojë ruajtjen e fshehtësisë dhe konfidencialitetit të të dhënave, dhe njëkohësisht duhet të dërgojë raporte të vazhdueshme mbi ecurinë e procesit.

Edhe me përfundimin e amnistisë që do të zgjasë 1 vit, puna e kësaj strukture të posaçme do të vijojë me monitorimin e vazhdueshëm të përfituesve në mënyrë që të mos përsëritet vepra e fshehjes së pasurisë apo evazionit fiskal.

Teksa projektligji i Amnistisë Fiskale është ende në proces konsultimi, Ministria e Financave nuk e ka akoma një shifër zyrtare të shumës financiare që do të legalizohet nga ky proces, dhe rrjedhimisht të fluksit të punës që do të duhet të përballojë Njësia Speciale.

Por në një administratë tatimore që sipas vetë institucioneve ndërkombëtare si FMN nuk është shumë efikase dhe duke marrë parasysh që vitin tjetër paralelisht me amnistinë fiskale, një tjetër grup pune do të jetë në funksion të procesit të fiskalizimit, natyrshëm lind pyetja: A do të jenë tatimet në lartësinë e detyrës, apo procesi rrezikon të dështojë e në rastin më të keq të legjitimojë paratë e krimit?(A2)

Artikulli i mëparshëmShpiket filtri i ajrit që vret koronavirusin
Artikulli i radhësStudimi mbi 17 mln njerëz: Gjithë faktorët, pse ju vret COVID-19