Përmes një deklarate për mediat e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili theksohet se rastet me Covid 19 në vendin tonë janë rritur me 400%.
Vasili bën përgjegjës qeverinë për keqmenaxhim, fshehje të realitetit të shifrave, por edhe mungesën e testeve dhe masave mbrojtëse kryesisht në spitale, ku personeli rezulton të jetë prekur.
DEKLARATA E PLOTË
Të nderuar qytetarë e qytetare.
Situata e pandemisë, sigurisht po shkon në një rrugë të cilën nuk do donte askush ta shikonte të tillë pasi rastet e reja sot siç i keni konstatuar janë 117. Pra, duke krahasuar me pikun e pandemisë 28 raste të arritur në prill disa muaj më parë, kemi një rritje me 400% të rasteve. Është shumë e qartë që e gjithë mënyra sesi është administruar kjo pandemi që nga fillimi ka qenë e gjitha mbi spontanitetin, mbi mosmarrjen e masave efektive, mbi mosvlerësimin e atyre hapave të domosdoshëm, të cilat bëjnë të mundur që të kesh një situatë në kontroll dhe të kesh mundësi të dalësh me sukses prej saj dhe një seri mosveprimesh të rënda siç ishte mostestimi, mospërdorimi i maskave pasi në fillim që vetë kryeministri i vendit që tha që maskat nuk duhen përdorur, mossigurimi i aspiratorëve në kohë, përqëndrimi i gjithë problematikës vetëm tek numri 127, mosaktivizimi i mjekëve të shëndetit parësor, mjekëve të familjes, pra një armatë e shpërndarë në gjithë vendin për të pasur sa më parë në evidencë situatën. Dhe mbi të gjitha mospajisja gjerësisht e mjeteve mbrojtëse e strukturave mbrojtësë spitalore dhe parësore pasi vija e parë e zjarrit ndodhet atje ku është kontakti i parë me të sëmurin, e ku vija fundore, sigurisht ku beteja bëhet mjaft më e fortë është pikërisht në spital, u ngatërruan me njëra-tjetrën dhe mjekët që janë në vijën e parë në kontaktin e parë mbetën tërësisht të pambrojtur derisa u sugjeruan dhe banalitete të tjera, duke prerë çarçafë në vend të maskave dhe duke diziinfektuar duart me raki. Kjo situatë dhe ky spontanitet, papërgjegjshmëri ka bërë pikërisht këtë situatë të re. Nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë të dhënë shkencore dhe profesionale që të mbështesë faktin që meqenëse Shqipëria filloi hapjen, ndaj dhe rastet u shtuan. Shqiptarët kanë sy dhe veshë, shikojnë fare mirë sesi u hapën shtete që kishin mijëra raste në ditë, siç ishte Italia fqinje, Spanja, Gjermania me numra të frikshëm, por asnjë shqiptar nuk ka parë që nga 9-10 mijë raste në ditë që kishte Italia pas hapjes të kishte 40 mijë, 4 fish siç ndodh në Shqipëri. Ka ndodhur e kundërta. Gjermania që kishte mijëra raste në ditë dhe mjaft viktima, sot ka rreth 140 raste, gati sa Shqipëria dhe vetëm një humbje jete, në një shtet me më shumë se 80 milion banorë. Po e njëjta gjë në Spanjë, anë e mbanë globit. Sigurisht testimi i gjerë në ato vende, marrja e masave efektive, krijojnë mundësinë se cila ishte kurba, ecuria e këtij fenomeni me ngjitjen maksimale dhe daljen e natyrshme, që ndodhte pikërisht kur rastet fillonin të ralloheshin. Pra qeveria ka bërë gabime shumë të rënda që për fat të keq po i paguajmë edhe me jetë njerëzish. Vetëm dje ka pasur 4 viktima. Situata nuk mban më. Duhen marrë masa të menjëhershme, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, duke vendosur në eficencë të plotë të gjitha strukturat shëndetësore shqiptare, e cila duhet të jetë në alert.
Jo vetëm spitali të nderuar qytetar, por edhe qendra shëndetësore më e largët.
Kontakti i një qytetar që mund te jetë mbartës i Covidit mund të jete në cdo pjesë të territorit. Ndaj masa kryesore ështe paisja me mjete mbrojtëse të bollshme të cilësisë shumë të mirë, në mënyrë që gjithë kjo armatë të jetë në efiçensë të plotë.
Infektimi i mjekëve dhe humbja e jetës së tyre është një dëshmi tronditëse që kjo masë nuk mund të presë më.
Nuk ka se pse qeveria bën PPP dhe koncensione dhe të kursejë mbetjet mbrojtëse ku edhe mjeku i fundit i qëndrës shëndetësore duhet të jetë i pajisur me maskën dhe disifektant. Së dyti qeveria duhet të marrë menjëherë masat për subvencionimet e cmimit të e maskave në mënyrë që ato të blihen me cmiminin më të lirë të mundshëm dhe të arritshëm për të gjitha shtresat e popullatës. Sepse cdo njeri gëzon të drejten e madhe të shëndetit dhe nuk mundet që nje njeri që ka të ardhura të blejë maskën dhe një i varfër nuk mund ta blej atë për shkak se nuk mund të arrijë cmimin. Pra subvencionimin do të bënte përdorimin masiv te njerëzit e cila është një masë mbrojtëse efikase e provuar botërisht.
Njëkohësisht e gjithë sjellja ndaj qytetarëve dhe bizneseve duhet të jetë ne shenjën e çlirimit nga diktatura e gjobave. Gjobat po shndërrohen në një diktaturë politike të vërtetë. Në vend të masave edukative, insistimit për të kuptuar rrezikun e madh, gjobat të cilat u vihen bizneseve në njërin krah e mbyllen syt përpara shkeljeve që bën qeveria e cila shëmbi Teatrin, që çoi me mijërja policë, duke shkelur të gjithë rregullat e pandemisë në momentin më delikat të vetin. Po të njëjtën gjë Bashkia e Tiranës, organizojnë aktivitete, nuk respektojnë distancën sociale, nuk përdorin maska. Këta janë të privilegjuarit, të mbrojturit e ligjit, ndërsa të tjerët dënohen egërsisht prej tyre. Pra duhet një metër, një standard, një qëndrim për të tërë.
Njëherazi e gjithë kjo armatë mjekësh dhe infermierësh që përballen anë e mbanë territorit me orar dhe pa orar ka nevojë patjetër për një mbështetje, subvencionime financiare, për një shpërblim financiar, i cili nuk arrin dot të shpërblejë punën e tyre, por është një stimul më shumë për të respektuar dhe për të motivuar gjithë këtë ushtri të madhe që është kyç i suksesit në një moment kaq të vështirë. Janë masa të qarta, masa të thjeshta. Qeveria të lërë njëherë e përgjithmonë të tërë shpërdorimet që ajo bën me koncesione, me tendera nga më të pacipat, tendera sekret, grebitje, shpërdorime korruptive dhe të marrë masa konkrete që në një kohë shumë të shkurtër të kemi dalje përfundimtare nga pandemia dhe ulje të qëndrueshme të shifrave që mundësojne çlirimin e gjendjes ekonomike dhe mbrojnë Shqipërinë nga një mjerim ekonomik që po thellohet gjithmonë e më shumë .
Sot turizmi shqiptar është në pikën e tij më të keqe dhe dhjetëra, mijëra familje që mbijetesën e tyre e kanë bazuar pikërisht në këto 2-3 muaj sot janë në rrënim të plotë. Çdo ditë e humbur e turizmit është një ditë e keqe për shëndetin e shqiptarëve, por një ditë akoma dhe më e keqe dhe për atë që është minimuni bazik i ekonomisë së tyre për të mbijetuar.
Faleminderit.