Pas shkëmbimit të zjarrit pak ditë më parë në kufirin mes Kinës dhe Indisë, një tjetër konflikt i vjetër mes shteteve është rikthyer këtë të diel.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka njoftuar se ka pasur shkëmbim zjarri me ushtrinë armene në kufi pasditen e së dielës, duke sjellë viktima në të dy kampet.
“Pasditen e së dielës, njësitë e forcave të armatosura armene, duke shkelur rëndë armëpushimin, hapën zjarr në kufi. Ka viktima në të dy kampet”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes të Azerbajxhanit.
Burime për “Sputnik” kanë bërë të ditur se të paktën dy ushtarë nga Azerbajxhani janë vrarë, ndërsa 5 të tjerë kanë mbetur të plagosur. “Si rezultat i kundërpërgjigjes, armiku pësoi humbje dhe u tërhoq”, ka bërë të ditur burimi nga Ministria e Brendshme e Azerbajxhanit.
Konflikti territorial dhe etnik mes Azerbajxhanit dhe Armenisë ka nisur në fillim të shekullit të 20 mbi rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabhakut. Katër vite më parë, me dhjetëra ushtarë nga të dyja kampet mbetën të vrarë gjatë shkëmbimeve të zjarrit.