Deputeti Damian Gjiknuri, njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, pas deklaratave të mëparshme ku është shfaqur si armik i “listave të hapura”, ka folur me një gjuhë më ndryshe sot, kur ka prezantuar ndryshimet dhe vendimet e marra me opozitën lidhur me Kodin Elektoral.
Gjiknuri tha se hapja e listave mund të sjellë edhe tensione e probleme, duke iu referuar eksperiencave në vende të tjera, ndaj tha “të mos kemi droje e t’i parashikojmë ne”.
Po ky Gjiknur vetëm pak kohë më parë gjatë një fjalimi në parlament dhe nëpër media të ndryshme është deklaruar i ashpër kundër listave të hapura.
‘Nuk i takon mazhorancës që të imponojë sistemin. Listat e hapura kanë dy veti negative: Elitat do t’i godasin. E pamë katalogun te PD. E dyta, mund të ndodhë që personazhe me para edhe muskuj të jenë fitues. Kujtoni këshilltar bashkiakë kur kishin marrëveshje…Opozita brenda në Parlament ka insistuar tek listat e hapura. Ne si mazhorancë nuk kemi qenë për lista të hapura. Mund të vijë një moment kur do të pendohen për listat e hapura.
Shiko Kosovën, si zhvillohen zgjedhjet në Kosovë. Do të degradohej menaxhimi, do të jetë një korrupsion i mirëfilltë, do të hyjnë njerëzit më problematikë që nuk do jua marrë mendja, Demokracia popullore sjell edhe produkte që nuk pëlqehen. Kjo sjell destabilitetin. Kosova nuk bën dot qeveri. Ne nisemi vetëm nga një situatë e caktuar politike’, deklaronte ai vetëm pak javë më parë.