Nga Dr. Artan Koni
Grafikët zyrtarë na tregojnë se hapja e kontrolluar nuk shton numrin e rasteve dhe se fajin nuk e kanë njerëzit. Deklarata te tilla nuk duhen marrë seriozisht.
Grafiku i Italisë është ai tipik i një pandemie.
Në kulmin e pandemisë kishin mesatarisht 5000 raste.
Pas hapjes se kontrolluar, kanë mesatarisht 250 raste në 24 orë.
Për ta thjeshtuar, në kulmin e pandemisë kemi mesatarisht 20 herë më shumë raste.
Le të shohim tani çfarë ndodh me grafikun shqiptar:
Pas hapjes, kemi mesatarisht 75 raste në 24 orë.
Në kulmin e pandemisë, normalisht, duhet të kishim mesatarisht 1500 raste (20 herë më shumë).
Në fakt, na është thënë se kishim mesatarisht 20 raste në 24 orë. Dëshira për të pasur me çdo kusht një histori suksesi, na errësoi sytë e po na nxjerr në pah çdo ditë e më shumë, paaftesinë tonë në menaxhimin e situatës.
Çelësi i suksesit në menaxhimin e këtyre situatave është përherë ndershmëria.
Imagjinoni çfarë do ndodhte nëse do të ishim të ndershëm:
1- Në pikun e pandemisë do të raportonim mesatarisht 1500 raste në ditë. Bën sens, është pandemi fundja, populli do të mirëkuptonte edhe atë karantinë spektakolare. Asnjëherë nuk e kuptuam përse duhej karantinë kur kishim 20 raste në rang kombëtar.
2- Do të pohonim me plot gojën se “kemi mangësi në testime”. Nuk është fundi i botës, këtë gjë e pohoi edhe ministri francez i Shëndetësisë. Populli përsëri do ta mirëkuptonte, sepse e di shumë mirë që testet nuk prodhohen në Shqipëri… dhe në çastin e një pandemie globale, është logjike të kesh mangësi të tilla. Kurrë nuk e kuptuam përse nuk patëm mangësi në testime, në një kohë kur e gjithë bota kishte.
3- Do të pohonim se laboratori i ISHP-së nuk na mjafton dhe do të mobilizonim të gjithë laboratorët e tjerë në vend, si shtetërorë ashtu edhe ata privatë. Asnjëherë nuk u komentua shkresa e ISHP-së drejtuar Ministrisë ku thuhej: “nuk kemi kapacitet të mjaftueshëm për testime”.
4- Do të pohonim se kemi mangësi respiratorësh, dorezash, veshjesh speciale, maskash etj… Është pandemi fundja, populli do ta mirëkuptonte. Mangësi të tilla u hasën edhe në vendet më të zhvilluara, jo më këtu tek ne.
Ndershmëria do ta nxirrte Ministrinë e Shëndetësisë më të suksesshme në menaxhimin e situatës.
Nga ana tjetër, ndershmëria do të shtonte presionin popullor për të alokuar më shumë fonde për pandeminë, fonde të cilat duhet të merreshin nga koncesione, tendera apo nga projekte të tjera dytësore, si ata 3D që shohim shpesh nëpër lajme.
Nëse nuk sillemi me ndershmëri gjatë një emergjence kombëtare, kur do të sillemi?!
Dr. Artan Koni, profil: