Presidenti rus sapo fituar një referendum që i mundëson të qëndrojë në pushtet deri më 2036, kur do të jetë 84 vjeç. Por ndoshta kjo nuk është as dëshira, as ambicia e tij: kjo, thekson në këtë intervistë Catherine Belton, autore e një biografie definitive lidhur me ish agjentin sekret, ka të bëjë me paaftësinë e mbështetësve të tij që të menaxhojnë suksesionin. Prandaj është e dobishme që të ripërshkohet karriera e tij, nga koha e Drezdenit deri në Shën Petërsburg dhe, më pas, në Moskë
Cila është natyra e regjimit të Vladimir Putinit? Një kleptokraci që ka futur në dorë pasuritë e Rusisë dhe i përdor për të destabilizuar Perëndimin, një klikë agjentësh sekretë e gatshme për gjithçka boll që të zgjasë përjetësisht pushtetin e saj: është kjo panorama që del nga ai që ka mundësi se është libri definitiv mbi Rusinë bashkëkohore, i shkruar nga anglezja Catherine Belton, për vite korrespondente nga Moska e «Financial Times». Putin’s People (Njerëzit e Putinit), është një lexim tërheqës dhe ngjethës, i domosdoshëm për të kuptuar se kush ndodhet vërtet përballë.
Një periudhë vendimtare për të kuptuar Vladimir Putinin është ajo e kaluar prej tij në Drezden në vitet Tetëdhjetë, në Gjermaninë komuniste të atëhershme, si agjent i KGB-së.
«Të gjithë jemi të modeluar nga përvojat tona të para: dhe kjo vlen sidomos për Putinin. Ai është shumë i tërhequr nga operacionet sekrete: zakonet që mëson si oficer i ri i KGB-së janë të vështira për t’u harruar. Atëhere ai dhe aleatët e tij qenë të përfshirë në kontrabandën e teknologjisë, por është edhe interesante të shikohet sesi ai dhe aleatët e tij kishin filluar të bënin përgatitjet për një kolaps eventual të komunizmit: ia shikonin tashmë të çarat. Në atë kohë agjentët sekretë të Lindjes filluan të transferojnë fonde drejt Perëndimit nëpërmjet kompanishë fasadë: është e pakonceptueshme që në rolin e tij Putini të mos dinte se çfarë po ndodhte».
Në fakt silovikët («njerëzit e forcës»), përfaqësues të shërbimeve sekrete dhe të ushtrisë, në vitet e perëndimit të Bashkimit Sovjetik punuan për të vënë në siguri para dhe kapacitete influence.
«Ata e kuptonin se ekonomia sovjetike nuk funksiononte: për këtë përpiqeshin që të krijonin kompani mike. E dinin se duhej të kishe një network operativ dhe fonde në disposicion që të mundësonin të vazhdohej të operohej në rastin e shembjes së një regjimit. Praktikisht, pikërisht një pjesë e shërbimeve sekrete mëshonte për një reformë të Bashkimit Sovjetik drejt një ekonomie tregu: disa prej tyre u bënë më pas financuesit kryesorë e regjimit të Putinit. KGB-ja organizoi një coverup të madh pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik për të penguar që të zbulohej se ku kishin përfunduar të gjitha paratë e partisë».
Edhe vitet e Shën Petërsburgut, kur Putini qe në atë kohë krahu i djathtë i kryebashkiakut të atëhershëm Sobchak, qenë vendimtarë: kuptoi ndërthurjen midis KGB-së dhe mafies.
«Në atë kohë Putini punonte në ndërtimin e një terminali petrolifer në Shën Petërsburg dhe përfundoi i përfshirë në luftën e mafies lokale për naftën: por në vend që të dërgonte forcat e rendit, vendosi që të lidhë një marrëveshje nëpërmjet ndërmjetësish që punonin në ndrthurjen midis shërbimeve sekrete dhe krimit të organizuar, që i mundësuan Putinit të fitonte monopolin e eksportit të naftës. Morën një vendim të ndërgjegjshëm, atë të punuarit bashkë me krimin e organizuar. Qenë të mësuar ta bënin, ishte një traditë e KGB-së që shkonte në vitet Shtatëdhjetë e Tetëdhjetë. Por në vitet Nëntëdhjetë nuk dije më se kush komandonte vërtet: mafia apo KGB-ja».
Ardhja e Putinit në krye të Rusisë, në fundin e viteve Nëntëdhjetë, duket thuajse si skema e një grushti shteti të KGB-së.
«Qenë të aftë të organizojnë një rikthim në pushtet, edhe pse ta quash grusht shteti është një çikë si shumë e fortë: ka mundësi që nuk do t’ia kishin arritur pa rënien financiare të 1998, që e kishte dobësuar shumë Boris Jelcinin, kështu, në mes të skandalit të fondeve të zeza që e përfshiu në fundin e 1999, familja Jelcin zgjodhi si kryeministër atë oficer të shërbimeve sekrete që dukej më liberali e më progresisti: atë që më pas është treguar më i pamëshirshmi i të gjithëve. Ajo që askush nuk dinte në atë kohë është se Putini ishte miku i informatorit që prodhoi letrat e skandalit Jelcin: ai që kishte punuar më Putinin në Shën Petërsburg ne vitet Nëntëdhjetë, ai dinte për fluksin e parave nga familja Jelcin dhe kartat e tyre te kreditit. Klani Jelcin ishte frikësuar dhe për këtë ia dha pushtetin këtij oficeri që e mendonin si liberal. Putini qe shumë i aftë që të tregonte një besnikëri fasade».
Pra skandali që përfshiu Jelcinin u orkestrua nga KGB-ja.
«Po, mendoj se po. Informatori i referohej një grupi njerëzish me të cilët punonte: edhe pse nuk i ka përmendur kurrë».
Një tjetër aspekt i errët që rrethon ngjitjen e Putinit qe vala e atentateve, me qindra viktima, që prfshiu Rusinë: disa ia kanë atribuar një operacioni të vetë KGB-së.
«Nuk kemi prova të sigurta me 100%, por dijmë se ka qenë një përpjekje për t’ua mbyllur gojën dëshmitarëve: ka shenja të lidhjeve midis KGB-së dhe atentateve. E di se është tronditëse të mendohet se sulmi ndaj Teatrit Dubrovka të Moskës në vitin 2002, i përfunduar me një masakër, u bë për të siguruar mbështetjen popullore ndaj luftës në Çeçeni dhe siguruar që Putini të garonte për një mandat të dytë. Ai nuk ishte i sigurtë se donte ta bënte, por kështu synonin që t’ia lidhnin duart duke ia spërkatur me gjak dhe duke e penguar që të tërhiqej. Edhe në këtë rast kemi vetëm prova rrethanore, jo të drejtpëdrejta. Ama nga ajo që dimë nga sjelljet e së kaluarës, KGB-ja është e aftë për gjëra të ngjashme. Dëshmitë që kam mbledhur janë të besueshme».
Nga ky rindërtim, Putini duket pothuajse si peng. Ju e quani frontman, fytyra publike një regjimi që e rrethon.
«Ai është frontman-i i këtij kolektivi njerëzish të sigurisë: del në televizion, paraqitet mirë si njeri veprimi, është i zoti të krijojë mbështetje. Por ka mundësi që nuk donte të qëndronte në pushtet kaq gjatë: është shtyrë që ta bëjë nga ky grup, ai është njeriu që duhet të mbajë bashkë vendin, të mbajë pushtetin për të mirën e Rusisë, por edhe për të mirën e tyre, nga momenti që janë përfshirë në aksione të pista dhe do të ishte një rrezik destabilizues për ta në rast se Putini do të tërhiqej».
Libri juaj përshkuan në detaje penetrimin ekonomik rus në Perëndim, që duket krejtësisht i verbër.
«Perëndimi ka pasur një lloj kompleksi superioriteti: mendonte se korrupsioni nuk është problem i tij, por i Rusisë, dhe se që njerëzit e Putinit sjellin para në Perëndim nuk është problem i vërtetë. Kemi parë banka dhe avokatë që ta pranojnë këtë para pa bërë shumë pyetje. Ama Putini na ka demonstruar se bëhet fjalë për një kërcënim, pasi nuk është vetëm para e trafikuar nga Rusia dhe e përdorur për të blerë jahte e vila luksoze, por përdoret edhe për të korruptuar personazhe publike. Perëndimi është relaksuar shumë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, askush nuk mendonte se Rusia do t’i përdorte këto resurse për ta destabilizuar».
Penetrimi ekonomik shoqërohet me influencën politike: cila është strategjia e tyre gjeopolitike?
«Duan t’i kujtojnë Perëndimit se nuk është aq i fortë sa duket. Putini ka kërkuar të rigjejë një rol më të madh për Rusinë në arkitekturën e sigurisë botërore: kërkon një Jaltë rë re ku Moska të ketë sferat e saj të influencës. Por nëse do vërtet të respektohesh, duhet të kërkosh të ndërtosh një ekonomik më të fortë në vendin tënd: kurse Putini përdor këto taktika të vjetra të së kaluarës, të KGB-së, kur Bashkimi Sovjetik nuk mund të konkurronte drejtpësëdrejti me Perëndimin dhe përdorte aksione të fshehta dhe dizinformimi. Për të ndërtuar një ekonomi të fortë duhet të rilançojë konkurrencën dhe kjo do ta vinte në vështirësi vetë sistemin e tij dhe atë të aleatëve të tij: kanë frikë prej kësaj, pasi mendojnë se mund të gjenden përballë një konkurrence politike. Kanë ngecur në vitet Shtatëdhjetë – Tetëdhjetë».
Janë si të zënë në kurth nga vetëvetja: ama Putini nuk është i përjetshëm.
«Po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje: është një dështim tjetër i sistemit të tyre, nuk kanë qenë të aftë të vendosin suksesionin. Me këtë referendum që sapo është mbajtur, që i ka dhënë Putinit mundësinë të qëndrojë në pushtet deri më 2036, ndoshta kërkojnë vetëm të fitojnë kohë për të zgjidhur çështjen e suksesionit. Sepse për të duhet të jetë rraskapitëse: nga njëra anë e pëlqen ktë stil jetese dhe është jashtëzakonisht e rrezikshme për të dhe për rrethin e tij të tërhiqet, por nga ana tjetër Rusia është në një rreth vicioz, po fillon një erë e re stanjacioni. Tashmë Putini është si një Brezhnjev i vogël».