Bashkimi Europian po negocion marrëveshje të blerjeve në avancë për vaksinat e mundshme të Covid-19 me kompanitë Moderna, Sanofi, Johnson & Johnson, BioNtech dhe CureVac, sipas 2 burimeve të BE për Reuters. Bisedimet ndjekin marrëveshjen e arritur në Qershor nga 4 shtete me AstraZeneca, për blerjen e 400 milionë dozave të vaksinës, që do të jetë në parim e disponueshme për të gjithë 27 vendet e Bashkimit Europian.
Informacioni mbi negociatat u bë i ditur nga Komisioni Europian, ndërkohë që ministrat e shëndetësisë së BE u takuan këtë javë në Berlin, sipas burimeve për Reuters. Negociatat e shumta konfirmojnë këmbënguljen e bllokut për të blerë dozat e mundshme të vaksinave, ndërkohë që Uashingtoni ishte i pari që siguroi injeksionet. Mbi 150 vaksina po zhvillohen dhe testohen në të gjithë botën, për të ndaluar pandeminë.
Prej tyre, 23 ndodhen në provat njerëzore dhe të paktën 3 janë në fazën përfundimtare të testimit, përfshirë vaksinën e Sinopharm në Kinë dhe injeksionin e AstraZeneca me Universitetin e Oksfordit. Bisedimet më të avancuara duket se janë ato me Johnson & Johnson dhe Sanofi, duke konfirmuar raportimin e Reuters në Qershor, për shkak se po diskutohen detaje mbi numrin e dozave që nevojiten. Sipas burimeve, Bashkimi Europian po negocion një ofertë prej 200 milionë dozash me Johnson & Johnson.