Kremlini nis arrestimin e kundërshtarëve politikë

0

E ardhmja politike e presidentit rus Vladimir Putin duket e sigurt pas referendumit për Kushtetutën që u mbajt në fillim të korrikut, i cili i dha zotit Putin një mandat të ri për të qëndruar në pushtet edhe për 16 vite të tjera. Por disa ditë pas votimit, shërbimet e sigurisë në Rusi kanë nisur një seri arrestimesh dhe ndalimesh kundër atyre që shihen si kundërshtarë të qeverisë.

Me rezultatet zyrtare që treguan se më shumë se tre të katërtat e rusëve i mbështesin ndryshimet kushtetuese të votuara me referendum, Kremlini e ka portretizuar votën si një triumf të vullnetit popullor…

Qytetarët e Rusisë kanë bërë zgjedhjen e tyre … dhe sipas dëshirës të tyre. Do ta nënshkruaj kushtetun e re duke përfshirë në të edhe ndryshimet“, tha presidenti i Rusisë Vladimir Putin.

Por cilat janë ndryshimet kryesore? Mes tyre një dispozitë që lejon Presidentin Putin të qëndrojë në pushtet edhe dekadën e ardhshme…

Por mes akuzave të vazhdueshme për manipulim të votave, mandati i udhëheqësit rus mund të jetë i mbivlerësuar argumentojnë disa vëzhgues ndërsa ajo që shihej si aureola e paprekshmërisë së zotit Putin është dëmtuar më shumë nga nxitja e tij për të siguruar vota gjatë një pandemie globale, sesa presioni i jashtëm.

Problemet e udhëheqësve politikë sot nuk krijohen për shkak të kundërshtimit, por si pasojë e vendimeve të tyre të këqija. Dhe arma që ata kanë tashmë është dhuna dhe frika”.Alexander Kynev, Analist i Pavarur

Shenjat e masave drastike janë rritur pas votimit. Arrestimi i ish-gazetarit Ivan Safronov nën akuzën për tradhti, ka rritur shqetësimet mbi të ardhmen e lirisë të shtypit në Rusi. Nga na tjetër vazhdojnë sulmet ndaj aktivistëve të opozitës, si një model presioni i vendosur nga pushteti prej dy dekadash i zotit Putin. Në shenjestër janë tashmë edhe politikanë me peshë.

Në një shfaqje force, javën e kaluar Shërbimet Federale të Sigurisë arrestuan Guvernatorin Sergei Furgal. Dy vite më parë ai u shndërrua në një nga politikanët e rrallë që mundi në zgjedhje një kandidat të mbështetur nga Kremlini. Tashmë ai përballet me akuza për vrasje që datojnë vitin 2004.

Autoritetet nuk u besojnë njerëzve … dhe vetë ata nuk janë plotësisht të sigurt për qëndrimin e tyre politik dhe mbështetjen që gëzojnë tek njerëzit. Ndaj dhe i frikësohen çdo forme proteste”, thotë Anton Orekh, vëzhgues politik.

Megjithatë duket se masa kundër guvernatorit ka ndeshur në kundërshti. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në qytetin kryesor të rajonit të Khabarovskut.

Jam i lodhur. Edhe sa mund të durojmë?! Ne kemi zgjedhur Furgalin dhe Putini e burgos. Ai kërkon të burgosë çdo kundërshtar të pushtetit të tij”, thotë një banor i këtij rajoni.

Fitorja kushtetuese e presidentit Putin duket më shumë si një rezultat i prodhuar, sesa një mandat për të qeverisur. Ajo është gjithashtu një shenjë se ajo që u synua të ishte një votë për të siguruar stabilitetin në Kremlin mund të ketë minuar besimin tek e ardhmja politike e zotit Putin.

Artikulli i mëparshëmShkencëtarët: Thuajini lamtumirë tullacllëkut
Artikulli i radhësTurqia i garanton Rusisë sigurinë e të dhënave S-400