Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Sanxhaktarin, i arrestuar pasi akuzohet për vrasjen e Florian Lamcjas pak ditë më parë në qytet.
Dy ditë më parë, Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë Elbasan, ka dëshmuar në Polici për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën shoku i tij.
Në dëshminë e dhënë, 34-vjeçari Sanxhaktari ka thënë se nuk e kujton si ka nisur debati mes tyre dhe se me viktimën ishin miq.
“Florin e kam shok. U takuam pasdite dhe kemi qenë në disa lokale. Në darkë u ulëm me Adrianon dhe me Florianin te lokal ‘Piazza’ dhe kemi pirë shumë pije të ndryshme. Nuk e kujtoj as si nisi debati dhe as pse më qëlloi dhe e qëllova. Jam i shokuar. Nuk e di si ka ndodhur. Ne jemi miq”, mësohet të ketë thënë Sanxhaktari para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, u vu në pranga së bashku me shokun e tij Adriano Hajdari.