“Parajsa chat dhe sex online”, ja si po kërcënohen adoleshentët nga rrjetet sociale

0
This image has an empty alt attribute; its file name is chattt-850x450-300x159.png

“Me fotografitë e tua do bëj pankarta dhe do dal nëpër Tiranë. Do t’i shpërndaj ngado imazhet e tua të zhveshura…”. Ky kërcënim përmes internetit ndaj një adoleshenteje që hyri në një faqe interneti të quajtur parajsa chat dhe më pas ngeci aty, po hetohet nga ekspertët kundër krimeve kibernetike në Policinë e Shtetit.

Siç bëjnë me dije burime pranë Policisë së Shtetit, vajza e cila është nxënëse në një shkollë të mesme në kryeqytet, u largua nga shtëpia për disa orë dhe pa asnjë adresë. Ajo fiku telefonin dhe kur u kthye në mesnatë pranë prindërve ishte në gjendje të pandërgjegjshme dhe të shqetësuar.

Prindërit fillimisht e dërguan për ndihmë në spital dhe më pas së bashku me të, ju drejtuan policisë lokale. Burime të gazetës “Si” thonë se ditën “e arratisjes” 17-vjecarja pretendon se për shkak të stresit që i shkaktoi komunikimi online, ajo shëtiti e përhumbur nëpër Tiranë. “Eca në këmbë nëpër rrugët e Komunës së Parisit, kur u lodha piva një Milkshaker çokollatë, vazhdova të udhëtoj në këmbë nëpër qytet, u ula sërish  për të ngrënë. Pastaj eca e përhumbur derisa nga dritaret e një lokali pashë në televizor se ora kishte shkuar 22.45, e trembur shkova në shtëpi”.

Policia e pyet se përse ajo ishte larguar nga shtëpia dhe përse ishte e trishtuar?

Adoleshentja, e cila sipas burimit të policisë ishte në gjendje të trembur ka treguar të vërtetën. “Një shoku im që është nxënës më sugjeroi të hyja në chat dhe unë logova parajsachat. Ai më mësoi si të logohesha dhe unë hyra me emrin K..i. Fillova të komunikoj me pjesëtarë të ndryshëm të këtij grupi, që dukeshin që ishin më të mëdhenj se unë. Aty u njoha me njërin prej tyre që aty gjendej me emrin BORAT”.

Në rrëfimin e adoleshentes shpjegohet se Borat ishte njëri nga administratorët e këtij chati. Tiparet e tij ishte biond, i dobët dhe prezantohet si banor në zonën e Liqenit.

“Kam folur rreth dy javë në këtë chat, dhe më pas ai më kërkoi numrin tim të telefonit. Filluam të flasim në WhatsApp”. Sipas rrëfimit të vajzës në komunikimin në WhatsApp, Borat i kishte treguar që quhej Isni dhe se ishte nga Kukësi. Gjatë ditëve në vijim, adoleshentes i është kërkuar një fotografi nga Isni me justifikimin e prezantimit.

“Por në darkë më kërcënoi, më tha se nëse nuk i dërgoja një fotografi me trupin gjysmë të zhveshur, fotografinë time do ta shpërndante në Tiranë”. Siç thuhet më tej adoleshentja ka pranuar dhe menjëherë pas këtij momenti, nuk ka munguar kërcënimi tjetër. “Nëse nuk më del online të më tregosh trupin e zhveshur, do ta postoj fotografinë tënde gjysmë të zhveshur në një faqe ku diskreditohen shqiptarët. Aty do ta marrin vesh të gjithë çfarë ke bërë”. Në formë më pas adoleshentes i është kërkuar hap pas hapi që jo vetëm të ekspozohej nudo, por edhe të kryente veprime seksuale online. “Zgjidh gjatë këtyre dhjetë ditëve që  vijnë, tre ditë do bësh sex online”.

Ky ultimatum ka qenë për adoleshenten tronditës, dhe pasi e ka kuptuar se kishte rënë në kurth, sipas versionit të deklaruar e të firmosur prej saj në prani të prindërve, ajo ‘u zhduk’ një ditë të tërë derisa u kthye e lodhur dhe nën gjendje shoku. Kur mjekët i vendosën serum, burimet jozyrtare të policisë thanë për gazetën “Si” se vajza kërkoi të fliste me një polic.

Artikulli i mëparshëmVdekja e mjekut pneumolog nga Covid-19, reagon Ministria e Shëndetësisë
Artikulli i radhësEuro zbret në nivelin më të ulët që para fillimit të pandemisë