Janë shoqëruar disa persona lidhur me vrasjen e 71-vjeçarit Abdulla Budlla, i cili u qëllua me armë zjarri në afërsi të zonës së Niklës në Tiranë.
Mësohet se policia ka identifiluar autorin e vrasjes, ndërsa janë shoqëruar disa persona nga zona e Rinasit dhe Niklës.
Operacioni është ende në vijim. Në zonë ka forca të shumta policie që po kryejnë kontrolle.
Kryeqyteti shqiptar u trondit dy ditë më parë nga një tjetër atentat që i kushtoi jetën në vend një 71-vjeçari të identifikuar Abdulla Budlla, ndërsa punonte si taksist në të zezë. Mësohet se Budlla është vrarë nga një breshëri kallashnikovi që është qëlluar nga brenda një mjeti në lëvizje, ndërsa ai ndodhej në anë të rrugës dhe nuk dihet nëse po priste klientë apo i ishte përgatitur kurth.
Në vendin e ngjarjes nga hetimet e deritanishme është zbuluar se nuk është gjetur asnjë gëzhojë nga plumbat e dala nga arma e krimit, ndërsa në drejtim të babit të tre djemve (dy prej të cilëve jetojnë në Itali, ndërsa tjetri punon si taksist në Rinas), është qëlluar të paktën 7 herë.
Krimi ka ndodhur në kryqëzimin e Rinasit, në Fushë-Prezë, ndërsa viktima nuk njihet me precedent penal. Fillimisht ngjarjen e kanë raportuar banorë të zonës të cilët kanë lajmëruar policinë pas konstatimit të kufomës në afërsi të mjetit të tij, mbështetur në një bordure betoni.