Në Japoni disa studiues pretendojnë se kanë zbuluar një medikament që lufton koronavirusin në zonën e fytit të pacientëve të prekur. Bëhet fjalë për povidone-jod që është përdorur tek disa pacientë por autoritetet thonë se është “shumë herët” për të thënë nëse ai është i efektshëm apo jo.
Një medikament antiseptik ka dhënë efekt kundër Covid 19 tek disa pacientë në Japoni.
Bëhet fjalë për povidon-jod, që lufton ngarkesën virale në fytin e pacientëve të prekur nga koronavirusi.
Të dhënat e studimit u bënë publike nga guvernatori i Osakës, Hirofumi Yoshimura, i cili tha se trajtimi i fytit me këtë medikament ka dhënë efekt tek 41 pacientë me simptoma të lehta.
Povidon-jod është i lëngshëm dhe përdoret në formën e gargarës për të luftuar virusin.
“Ne kemi një studim që tregon se medikamenti mund të jetë efektiv kundër koronavirusit,” tha guvernatori në një konferencë për shtyp.
Lajmi mori dhenë dhe kjo bëri që raftet e farmacive japoneze të boshatisen brenda pak orëve.
Pas njoftimit të Yoshimura, qindra mijëra njerëz postuan fotografi me rafte të boshatisura të farmacive japoneze në Twitter, ku një pusullë tregonte se medikamenti nuk ishte me gjendje.
Megjithatë, disa ekspertë janë shprehur skeptikë, duke theksuar se testet pas përdorimit të ilaçit do të regjistronin nivele më të ulëta të virusit.
“Unë mendoj se këto lloj pretendimesh madje mund të çojnë në një numër të lartë të personave që rezultojnë negativëve në mënyrë të rreme për testet PCR”, shkruante në Twitter eksperti mjekësor Shuichi Aoshima.
Edhe Ministria e Shëndetësisë në Japoni nuk ka dhënë konfirmim zyrtar për medikamentin duke u shprehur se është “shumë herët” për të thënë nëse ai është i efektshëm apo jo.