Igli Tare ka nisur seriozisht punën për të sjellë një kampion si David Silva në kryeqytetin italian. Spanjolli i dha fund marrëdhënies së tij me Manchester City-n, ku ishte një lojtar kyç, dhe kjo nuk mund të lihet pa u shfrytëzuar nga drejtori teknik i Lazios.
Bardhekaltrit kanë nevojë për emra të mëdhenj për t’u përballur me më të mirët e Europës në Champions League sezonin e ardhshëm dhe David Silva është profili i duhur. Por për të veshur me fanellën e Lazios një sulmues të tillë duhet shumë për ta joshur.
Këtë gjë e di mirë edhe Tare, që ka vendosur të mos kursehet në disa aspekte. Një shtëpi në qendër të Romës dhe një avion privat i janë vënë në dispozicion si një bonus spanjollit. Kështu ky i fundit ka mundësinë të shkurtojë distancën nga Spanja, ku ka edhe familjen e tij. Megjithatë mbetet për t’u parë nëse Igli Tare do ia dalë të marrë firmën e tij në kontratë.