Kreditë bëhen më të lira se asnjëherë

0

Ndonëse në këtë periudhë pakkush mund të mendojë të bëjë investime, apo të realizojë blerje të mëdha, normat e interesit janë më të favorshme se asnjëherë tjetër.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit (për të gjitha afatet e maturimit) të huave të reja në lekë të dhëna për individët, bizneset dhe organizatat jo fitimprurëse ishte 5.45%, duke shënuar një nivel minimumi historik. Në krahasim me një muaj më parë, interesat janë 0.11 pikë përqindjeje më të ulëta, ndërsa në krahasim me një vit më parë janë 0.51 pikë përqindje më pak.

Reduktimi i normave të huave ka ardhur si rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese që po ndjek Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale historike prej 0.5% pak muaj më parë, në një përpjekje për të ulur koston e lekut, me qëllim nxitjen e ekonomisë së sëmurë nga pasojat e Covid-19.

Për të gjitha maturitetet, interesat janë ulur në qershor, me përjashtim të kredisë 1-3 vjeçare.

Ndryshe nga leku, kreditë në euro janë shtrenjtuar lehtë në qershor, por gjithsesi ato mbeten të lira, me një normë mesatare vjetore prej 4.04% (nga 3.79% muajin e mëparshëm).

Huatë për shtëpi në rritje të lehtë

Ndryshe nga tendenca e përgjithshme, huatë për blerje banese në lekë kanë shënuar një rritje të lehtë në qershor. Gjithsesi, kosto e kredisë për të marrë në pronësi një apartament vijon të mbetet afër nivelit minimal historik.

Sipas statistikave të BSH, norma mesatare vjetore në qershor ishte 3.65%, nga 3.55% muajin e mëparshëm dhe 4.21% që arriti në prill, kur situata e krijuar nga pandemia e la pezull tregun e shit- blerjes së banesave.

Edhe në euro, huatë vijojnë të mbeten të lira, duke rezultuar rreth 3.085 në shtator.

Diferenca mes interesave të huave në lekë dhe euro është zvogëluar ndjeshëm, duke e bërë praktikisht një rrezik të kotë që të marrësh hua në euro, në momentin që të ardhurat i ke në lekë. Më herët, individët nxiteshin të disbursonin hua në monedhën e përbashkët, pasi diferenca mes interesave ishte e ndjeshme. Por, në momentin që ata i kishin të ardhurat në lekë, kjo i ekspozonte ata ndaj rrezikut të zhvlerësimit të lekut, duke i bërë më të shtrenjta këstet në euro (pasi do të duheshin më shumë lekë për të njëjtën sasi në euro) dhe si rrjedhojë humbjet nga lëvizjet e kursit mund të ishin më të mëdha sesa fitimi që vinte nga diferenca e interesave.Monitor

Artikulli i mëparshëmNdërron jetë djali i “ Mbretëreshës së Bordellove”, përplasjet për trashëgiminë një betejë e vërtetë
Artikulli i radhës‘Rama përzë koncesionarin e huaj, shpërblen Lefter Kokën me terminalin e kontenierëve’