Iraku gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar 3.484 raste të koronavirusit të ri (COVID-19), shifër më e lartë e rasteve të regjistruara për një ditë që nga shpërthimi i pandemisë në vend.
Ministria irakiane e Shëndetësisë po ashtu raportoi 72 vdekje të reja nga koronavirusi.
Shifrat e fundit sjellin numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me koronavirus në 153.599, ndërsa atë të viktimave në 5.464.
Autoritetet shëndetësore po ashtu njoftuan se deri më tani janë shëruar 109.790 pacientë, paraprakisht të prekur nga virusi.
Qendrat shëndetësore në Irak po përballen me mungesë të pajisjeve të furnizimit me oksigjen dhe të atyre mbrojtëse, gjë që e bëri Komitetin e Lartë për Shëndetin dhe Sigurinë Kombëtare të urdhërojë Ministrinë e Shëndetësisë të garantojë mbështetje për investitorët që duan të ndërtojnë impiante mjekësore për prodhimin e oksigjenit.
Po ashtu edhe forcat e sigurisë janë urdhëruar të zbatojnë vendimet e komitetit, duke përfshirë mbajtjen e maskave, respektimin e distancës sociale, vënien e gjobave dhe konfiskimin e automjeteve për ata që shkelin rregullat.