Ish-deputetja Nora Malaj është shfaqur për herë të parë në media, pasi kaloi tre javë të vështira e prekur me Covid 19. Ajo që vihet re në pamje të parë është se Malaj ka humbur shumë kilogramë, ndërsa tregon se përveç saj me Covid iu infektua edhe bashkëshorti i saj.
Malaj ka treguar se vështirësitë me të cilat ajo është ndeshur kanë qenë të shumta, duke qenë se vuan edhe nga diabeti, që është një nga sëmundjet shoqëruese më të rënda sa i takon Covidit.
“Në fillim mendova se e kisha ftohje, nuk mendoja për Covidin, kalova tre javë jo të lehta më pas. Në fillim kisha temperaturë dhe kollë, më pas humbje të shijes dhe të nuhatjes. Pas meje simptomat u shfaqën dhe te bashkëshorti im”, është shprehur Malaj, që apelon për kujdes nga të gjithë qytetarët, pasi sipas saj mjekët janë duke bërë sakrifica të mëdha, me pacientët e shtruar.