Nuk ka qetësi te Juventusi! Ronaldo e Dibala, aromë lamtumire

0
cristianoronaldopaulodybala-cropped_12hju5b93ots41vwbc2ma9wiv4

Një fitimtar di edhe të humbasë, megjith atë e tashmja është kohë mendimesh për Kristiano Ronaldon. Pavarësisht eliminimit nga Lioni, portugezi është mbështetur nga të gjithë si më i miri në fushë për italianët. E motra, Elma Aveiro, në një postim në “Instagram” i thurte lavde: “Ishe më i mirë se kushdo. Krenar tek të shoh të luash”. Edhe vetë ylli i “Zonjës së Vjetër” ia ka besuar mendimet e tij rrjetit social, ku në një postim është shprehur: “Sezoni për ne mbaroi më vonë se zakonisht, por më herët sesa dëshironim.

Tashmë duhet të mendojmë për uljet e ngritjet, sepse kritikat janë mënyra e vetme për t’u përmirësuar. Një klub si Juventusi duhet të mendojë e të punojë si më i miri në botë. Titulli i fituar na bën krenarë, ashtu siç më bëjnë 37 golat e sivjetshëm. Por ja që tifozët kërkojnë më shumë, ndaj nevojitet që të jemi në lartësinë e duhur e të marrim vendimet më të mira për të ardhmen”.

SIRENA FRANCEZE – Nëse Mauricio Sarri do të kishte qëndruar te Juvja, vështirë se Ronaldo do të kishte bërë të njëjtën gjë. Me Pirlon gjërat mund të ndryshojnë, aq më tepër që ish-mesfushori do të synojë më shumë në një menaxhim të grupit, sesa në një revolucion taktik. Pirlo ka ngjashmëri me Zidanin dhe CR7 mund të mendojë seriozisht për Juven, megjithatë në kokën e portugezit ka ende dyshime mbi të ardhmen. Këto ia shtojnë edhe sirenat franceze që kumbojnë fort nga Parisi. Sipas “France Football”, Leonardo po punon për të rrëmbyer 35- vjeçarin.

Drejtori i PSG-së ka te Zhorzh Mendesh (menaxher i CR7) një aleat të fortë dhe thuhet se dyshja synon transferimin e bujshëm, pavarësisht se këto zëra, vetë presidenti Anjeli i ka komentuar si të pabaza dhe të frymëzuara nga histori të vjetra…

Cristiano+Ronaldo+Paulo+Dybala+Chievo+Verona+AoSVLSc1ZzKl

Reali do Dibalën – Dhe ndërsa të gjithë nisin të mbajmë frymën për Kristiano Ronaldon, mbrëmjen e djeshme, nga Spanja ka ardhur një tjetër goditje shumë e fortë për Juventusin. Lideri tjetër i sulmit bardhezi, Paulo Dibala, ka përfunduar zyrtarisht në shënjestrën e Realit të Madridit. Presidenti i kampionëve të Spanjës, Florentino Perez, i cili i ka shtyrë për verën e ardhshme planet për Kilië Mbapenë e PSG-së, duket se kërkon me çdo kusht numrin 10 të Juventusit, i cili vazhdon që të mos gjejë gjuhën e përbashkët me drejtuesit italianë, për rinovimin e kontratës.

Sipas asaj që raporton media spanjolle, oferta e Realit e kalon vlerën e përgjithshme prej 100 milionë eurosh, por brenda saj duhet të futet me patjetër edhe një lojtar. Ideja e Perezit, pasi ka biseduar me trajnerin Zidan sigurisht, është ajo që të bëjë pjesë të ofertës kartonin e njërit mes Iskos (mesfushori 28-vjeçar që vlerësohet 60 milionë euro) dhe Toni Krosit (mesfushori 30- vjeçar që vlerësohet 50 milionë). Këta dy emra joshin prej shumë vitesh Juventusin, por tashmë që Reali duket se është gati t’ia lejojë, çmimi për t’u paguar është heqja dorë nga Paulo Dibala. Ndërkohë, bardhezinjtë marrin kohë për këtë ofertë, ndonëse një peshë të madhe do të ketë pa dyshim edhe trajneri i ri, Andrea Pirlo.

Artikulli i mëparshëmFOTO/ “Na sillni Tiranën ta shkatërrojmë”, tifozët e Cervena Zvezdës “injorojnë” gjeorgjianët dhe duan përballje me bardheblutë
Artikulli i radhësPronarët më të pasur të klubeve të futbollit, surprizon vendi i parë në Serinë A