Lajmi i dhënë nga presidenti Vladimir Putin se Rusia ka krijuar vaksinën kundër koronavirusit shkaktoi një pështjellim të madh te njerëzit një ditë më parë, në lidhje me vërtetësinë e tij.
Shumë vende shprehën gëzimin dhe gatishmërinë për t’u furnizuar me këtë produkt të shumëpritur, ndërsa shkencëtarët reaguan të shqetësuar duke vënë në dyshim efektshmërinë e vaksinës.
Disa dokumente të zbuluar së fundmi nga Daily Mail japin detaje se vaksina që prezantoi Putin është testuar vetëm në 38 persona dhe efektet anësore të saj kanë qenë të shumta si dhimbje, të vjella etj.
Edhe agjencia e lajmeve Fontanka shkruan se vaksina e shumë trumbetuar nga Rusia u regjistrua pas 48 ditësh kërkime dhe efektiviteti i saj është ende i panjohur.
Në një nga dokumentet e dorëzuar për regjistrimin e vaksinës shkruhet se “nuk janë bërë studime klinike për të parë studiuar efektin epidemiologjik”, ndërkohë që Putin deklaroi më herë se ajo i kishte kaluar të gjitha testet e nevojshme.
Gjithashtu ka pikëpyetje në lidhje me aftësinë e vaksinës për të krijuar antitrupa të mjaftueshëm.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi dje se vendi i tij ka gati vaksinën e koronavirusit.
Ai tha se kjo vaksinë është testuar edhe te një nga dy bijat e tij. Presidenti rus tha se vajza e tij ka krijuar antitrupa dhe efektet anësore ishin thjesht temperaturë. Putin shpalli se Rusia është i pari vend që do të regjistrojë vaksinën e koronavirusit. Ai pretendon se vaksina i ka kaluar të gjitha fazat e testimit dhe ofron dy vite imunitet kundër Covid-19.
Putin tha se prodhimi në masë do të nisë në shtator, kurse vaksinimi masiv nis në tetor. Rusia pretendon se mbi 20 vende kanë prenotuar mbi 1 miliard doza. Kurse OBSH nuk ka dhënë miratim për këtë vaksinë.
Gara për të prodhuar vaksinën është kthyer në një betejë mes vendeve më të fuqishme në botë. Kremlini e sheh atë si një çështje të prestigjit kombëtar.