Ishte një moment krenarie dhe ngazëllimi për Gopalan Balachandranin, kur u zgjua në orën 5 të mëngjesit dhe pa mesazhet e urimeve në telefon dhe lexoi lajmin se mbesa e tij Kamala Harris, ishte përzgjedhur nga kandidati demokrat për president, Joe Biden si kandidatja për nënpresidente.
Akademiku 79 vjeçar që jeton në Nju Delhi beson se origjina indiane e senatores Harris dhe kultura familjare, kanë luajtur një rol qendror në krijimin e fizionomisë së politikanes.
Është e para herë që një afrikano-amerikane zgjidhet si kandidate për nënpresidente nga njëra nga partitë kryesore. Si një grua me origjinë pjesërisht indiane, ajo po hyn në histori edhe si kandidatja e parë aziatiko-amerikane.
Gopalan Balachandran, daja i Senatores Kamala Harris në Nju Delhi, India. Foto: REUTERS/Adnan Abidi
“E dija që ishte mjaft ambicioze, në kuptimin që gjithmonë donte të shërbente në poste publike dhe të arrinte diçka dhe këtë e ka trashëguar nga e ëma. Prandaj ishte e pashmangshme”, i tha Zërit të Amerikës, Balachandran,vëllai i vohël i mamasë së zonjës Harris, Shyamala Gopalan.
“Gratë e familjes sonë janë jashtëzakonisht të forta. Burrat jo edhe aq, thotë i duke qeshur. Ajo mund t’i bëjë ballë fushatës”.
Ai kujton se familja e tij ka pasur një mendje të hapur që në vitet 1940 dhe 1950, kur India ishte një shoqëri jashtëzakonisht tradicionale. Ajo kulturë përparimtare i dhe mundësi mamasë së senatores Harris, të shkonte në Shtetet e Bashkuara në moshën 19 vjeçare, për të bërë studimet e doktoraturës në Universitin e Kalifornisë, në Bërkli.
“Në atë kohë, numri i vajzave të pamartuara që shkonin nga India në Shtetet e Bashkuara, ishte fare i vogël. Por familja jonë gjithmonë thoshte ‘bëni ç’të doni, studoni dhe pastaj ndërtoni vetë të ardhmen tuaj’”.
Është një mesazh, thotë Balachandran, që zonja Harris e përvetësoi, e rritur nga nëna e saj, që u nda nga i ati xhamaikian, kur ajo ishte pesë vjeç.
Që fëmijë, senatorja Harris shkonte rregullisht të vizitonte gjyshërit e saj nga nëna në qytetin Chennai në jug, si edhe dajën edhe tezen e saj në Indi. Ajo ka folur në intervista lidhur me ndikimin që gjyshi i saj, një zyrtar publik, kishte ushtruar tek ajo.
“Kamala ka marrë edhe vlerat njerëzore nga familja. Më thoshte gjithmonë: Unë thjesht bëj, atë që duhet të bëjë çdo qenie njerëzore”, thotë daja i saj Balachandran, që e vizitoi atë kur kandidoi për senatore në Kaliforni.
Ai kujton se si katër motrat dhe vëllezërit, përfshirë mamanë e senatores, ndoqën rrugët e tyre. Ai vetë u martua me një meksikane, motra më e vogël nuk u martua, ndërsa një tjetër motër që jeton në Kanada, u martua por nuk bëri fëmijë.
Edhe emri i zonjës Harris, e lidh atë me trashëgiminë e saj indiane. Kamala do të thotë zambak uji dhe kuptimi simbolik i tij në kulturën indiane lidhet me rrënjët e thella, pasi lulja dhe rrënjët e saj, rriten nën ujë, ndërsa petalet dalin mbi sipërfaqe.
Balachandran shpreson që nëse mbesa e tij bëhet nënpresidente, të kontribuojë në rritjen e “ndërgjegjësimit pozitiv global” të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur Kina bën konkurrencë për udhëheqjen globale.
Për shumë indianë që e kanë parë suksesin e komunitetit indiano-amerikan me krenari, përzgjedhja e zonjës Harris është një arritje më shumë.
“Tregon larminë e Shteteve të Bashkuara, tregon se gjithkush mund të arrijë majat, në politikë apo çdo fushë tjetër”, thotë Varun Mehta, një pensionist, vajzat e të cilit jetojnë në Nju Jork dhe Los Anxheles.
Ndërsa indianët kanë shënuar shumë arritje në fushën e teknologjisë, në drejtim të kompanive si Google dhe Microsoft, politika është një skenë e re për t’u pushtuar. “Është një moment i mirë për indianët”, thotë ai.VOA