“Një vendim i bërë me dorë, që kërkon të shkrijë klubin dhe të mos i japë asnjë shans ringritjeje”. Ardjan Takaj është i qetë edhe pasi mëson se Skënderbeu i tij sapo ka shuar çdo shpresë për t’u kthyer ai i pak viteve më parë. Presidenti i klubit korçar pranon të rrëfejë ekskluzivisht për “Panorama Sport” prapaskenat e vendimit të Gjykatës Federale në Zvicër, por edhe planin që ka për të ardhmen. “Gabimi i vetëm është që shkuam shumë lart dhe u morëm me drejtësinë. Unë nuk e braktis Skënderbeun”, ka thënë ndër të tjera kreu i klubit korçar.
Zoti Takaj, më në fund vendimi erdhi, por jo ai që dëshironit. Çfarë ka diçka më tepër se ai njoftim që bëtë në faqen e klubit?
Thjesht na njoftuan për vendimin, por ende nuk na ka ardhur i argumentuar, edhe pse tani pak rëndësi ka kjo pjesë. Nga sa jemi në dijeni, në seancën e parë me tre gjyqtarë fituam 2-1. Pra, dy anëtarë ishin pro ankimimit tonë që të rrëzohej vendimi i KAS-it.
Dhe çfarë ndodhi më pas?
Në Gjykatën Federale në raundin e parë vendimi merret nëse ka unanimitet nga të tre anëtarët e pranishëm. Më pas Gjykata bëri një seancë të dytë me pesë anëtarë. Në këtë seancë tre prej tyre ishin kundër ankimimit tonë dhe dy të tjerë na dhanë të drejtë. Në këto kushte, pati një vendimmarrje me shumicë të thjeshtë votash dhe kur është 3-2 atëherë nuk kalohet në një raund tjetër me 7 anëtarë.
Keni paralajmëruar një ankim të mëtejshëm në Gjykatën Europiane Për të Drejtat e Njeriut…
Është edhe një shkallë tjetër ku mund të shpresosh për të gjetur të drejtën, por mesa duket, këta që marrin vendime janë të njëjtit. Nuk na kanë marrë parasysh asgjë dhe kjo është më e rënda në gjithë këto shkallë gjyqësori. Tani që po flasim bashkë, sapo më shkroi avokati që ka ndjekur çështjen tonë dhe zhgënjimi është shumë i madh.
Çfarë ju ka thënë avokati?
Mesazhi ishte ky: “Më vjen keq për këtë vendim, por ndodhi sepse jeni një klub i një vendi të vogël. Çdo gjë është e paragjykuar, pasi përveçse jeni të vegjël, jeni edhe në Ballkan. Të kishte qenë një klub tjetër, nuk diskutohej që do ta fitonte çështjen. Është fatkeqësi, por kjo është e vërteta. Ky është realiteti i hidhur”.
Tashmë që nuk ka më shanse për të gjetur drejtësi, çfarë do të bëni me klubin. Jeni ende i bindur që do të vazhdoni te Skënderbeu?
Do të vazhdoj, pa diskutim. Skënderbeu do të jetë sërish pjesë e rëndësishme e kampionatit shqiptar.
Keni tentuar gjatë kësaj periudhe të bëni një pakt me UEFA-n për të përgjysmuar dënimin?
Nuk jam marrë fare me këto gjëra. Ta dinim se do të funksiononte edhe kjo teori, atëherë nuk do të kishim bërë gjyq fare. Vendimi i marrë për Skënderbeun është si i bërë me dorë, nuk është dënim. Pra, një vendim që kërkon të shkrijë klubin dhe të mos i japë asnjë shans ringritjeje. Ky është dënimi i parë që UEFA ka marrë në këtë ekstrem, duke marrë për bazë edhe sistemin e basteve ku ka investuar vetë.
Është folur për një shkrirje të Skënderbeut dhe nisje nga e para duke ndryshuar emrin, një variant që e kanë bërë edhe klube të tjera që kanë falimentuar. Është ky një plan B pas këtij vendimi?
Absolutisht jo. Historinë e kemi bërë me këtë klub. Po të kishim ndërmend të bënim këtë variant, me siguri tani do të ishim në Superiore me Skënderbeun tjetër, por kam qenë i vendosur për të gjetur drejtësi.
Janë shlyer vetëm tri vite nga 10 në total?
Ata edhe 10 vite po i shleve, prapë ka rrezik nuk ta quajnë (qesh). Bëjnë çfarë u do qejfi.
Cili është mesazhi juaj për tifozët në këtë situatë të pashpresë?
Me Skënderbeun dhe tifozët e Korçës fituam gjithçka dhe arritëm gjëra të pabesueshme që vazhdojnë t’i ëndërrojnë në Shqipëri. Mbështetja e tifozëve dhe qytetit më bën të vazhdoj të drejtoj klubin. Nuk ka asnjë arsye tjetër, sepse po të ishte për mua, nuk do të vazhdoja kaq gjatë në këto kushte. Korça është qytet fantastik, me njerëz të mirë, që e duan klubin dhe vendin e tyre. Jam i vendosur të vazhdoj dhe nuk ka kthim mbrapa. Nuk më surprizon asgjë. Thjesht kisha shumë besim se Gjykata Federale do të na jepte të drejtë, por nuk ndodhi, sepse janë po të njëjtët.
Ju bezdis fakti që do të paragjykoheni në kampionat si një ekip i dënuar që çfarëdo që të bëni nuk merrni pjesë në Europë…?
Nuk i jap llogari njeriu unë. Ne luajmë për qytetin e Korçës, jo për ata që qëndrojnë në studio dhe japin mend. Skënderbeu ka bërë kampionatin e vet dhe nuk na intereson çfarë mendojnë të tjerë, që thonë: pse luani? Këtu kujtojnë se shkojnë në Europë 10 ekipe! Këtu merr vlerë vetëm kampioni, ndërsa të tjerat janë thjesht shëtitje.
Në gjithë këtë histori, cili është pengu më i madh juaji?
Nuk kam bërë ndonjë gabim. Ndoshta gabimi është që shkuam shumë lart dhe u morëm me drejtësinë.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Mendonim se do të gjenim drejtësi, por mesa duket, duhet të shkonim aty dhe të pranonim çfarë na thoshin, se ndryshe s’ka rrugë tjetër pas këtij vendimi. Unë nuk kam pranuar kurrë asnjë akuzë nga UEFA dhe shkallët e tjera të gjyqësorit. Studioja ligjore i ka bërë hyzmetin çështjes. I ka shkuar me fakte deri në fund. Konkluzioni i tyre është që jemi një klub i një vendi të paragjykuar./panoramasport