Pas rikthimit nga Kina, ku qëndroi i “izoluar” për 5 muaj, Stiven Zhang ka nisur punën për të ndërtuar Interin e së ardhmes. Gjatë këtyre ditëve ka qenë në Milano, ku ka takuar nga afër administratorin Marota dhe Antonelon. Nesër pritet që të udhëtojë drejt Gjermanisë ku do të qëndrojë afër skuadrës për gjysmëfinalen ndaj Shahtjorit.
Në këtë mënyrë pritet që të ketë edhe takimin e parë me trajnerin Konte, që pas shpërthimit të tij pas përfundimit të kampionatit. Trajneri kërkoi që klubi ta mbrojë më shumë atë dhe skuadrën, deklarata që nuk i kanë pëlqyer aspak Zhangut. Gjatë këtij takimi të parë nuk do të ketë asnjë diskutim për të ardhmen, sepse bilancet do të bëhen në fundin e Ligës së Europës.
Megjithatë, burime pranë presidentit thonë se palët do të vazhdojnë rrugëtimin që kanë nisur dhe nuk do të shkojnë drejt “divorcit”. Zhang e kupton mirë Konten, i cili dëshiron që të fitojë sa më shpejt trofe të rëndësishëm, por kurrë nuk do t’i japë pushtet të plotë.
EKSPERTË E TALENTE- Drejtuesit kanë nisur që të hartojnë një listë dëshirash për merkaton e verës dhe Bepe Marota e di mirë sekretin për të arritur te suksesi: Një miks mes lojtarëve me eksperiencë dhe kampionë, por edhe talente për të ardhmen. Diçka e tillë është kuptuar që në dy lëvizjet e para që ka bërë Interi deri tani: Blerjen përfundimtare të Sançezit (i cili ka fituar trofe të rëndësishëm me Barcelonën dhe Kilin), por edhe transferimi i Hakimit, një lojtar premtues për të ardhmen. Për të plotësuar repartin e sulmit, emri më i pëlqyer nga Konte vazhdon të jetë Edin Xheko.
Sulmuesi boshnjak njihet për karakterin dhe për faktin që prej vitesh luan në nivele të larta. Roma këtë herë mund të jetë e detyruar që ta shesë sepse bilanci prej Koronavirusit është negativ. Një tjetër emër nga Roma është Kris Smolling, për të cilin Mançester Junajtid kërkon 20 milionë euro. Verdhekuqtë duket se nuk do ta blejnë kartonin e tij dhe Interi do të shfrytëzojë raportin e mirë të krijuar në vitin e fundit me skuadrën angleze. Merkatoja në Premier Ligë i pëlqen shumë Kontes dhe dy emrat e tjerë janë Kante dhe Emerson.
Dy lojtarët e Çelsit nuk janë të pashitshëm dhe zikaltrit kanë nisur kontaktet për këtë të fundit. Për sa u përket lojtarëve të rinj, lista gjithashtu është e gjatë, ku në krye të saj qëndron Sandro Tonali. Zikaltrit duket se kanë një marrëveshje me Breshan, por ende nuk kanë vendosur ta zyrtarizojnë atë. Marash Kumbulla (për të cilin janë bërë hapa konkretë ditën e djeshme) dhe Ndombele janë gjithashtu talentet e tjera që pëlqehen nga zikaltrit. Për francezin po mendohet një shkëmbim me mbrojtësin Milan Shkriniar.