Milani nuk heq dorë nga Ibra, Maldini “sherr” me Raiolën

0
Ibra-Maldini

Dukej sikur ishte thjesht formalitet, por kontrata e Zlatan Ibrahimoviçit po mban peng merkaton e “Djallit”. Me suedezin në ekip, kuqezinjtë do të investonin në mesfushë dhe mbrojtje, e teksa firma e tij vonon, drejtuesit nuk po arrijnë të bëjnë goditjet e nevojshme për të përforcuar ekipin e Stefano Piolit.

Pas një jave kuqezinjtë do të nisin grumbullimin, teksa kërkesa e 38-vjeçarit për një rrogë prej 7.5 milionë eurosh ka ndërlikuar gjithçka. Kjo shifër do ta bënte lojtarin e tretë më të paguar të Serisë A pas Ronaldos (31 mln €/vit) dhe De Ligt (8 mln €/vit).

Sa i përket Milanit, Ibra do t’i kushtonte 15 milionë euro në sezon duke përfshirë edhe taksat, ndaj do të nevojitet edhe një sforco e madhe ekonomike. Ibra ka treguar me fakte se çfarë mund të bëjë, pasi përveçse ka mundësuar rritjen e disa shokëve, ka rritur edhe mesataren e pikëve të skuadrës duke kaluar nga 1.37 në 2.4 pikë për ndeshje.

REFLEKTIME

Diskutimet kanë filluar disa muaj më parë dhe kuqezinjtë e nisën me një ofertë prej 4 milionë eurosh, e cila shumë shpejt preku 4.5 milionë eurot në sezon. Pakënaqësia e Ibrahimoviçit u mundua të pllakosej duke i shtuar propozimit edhe një  seri bonusesh që do ta çonin përfitimin e lojtarit në mbi 6 milionë euro në vit. Menaxheri i tij ka qenë i qartë dhe efikasitetin e 38- vjeçarit e kërkon të “certifikuar” me një pagë në lartësinë e kontributit, sepse jo vetëm që Ibra është bomberi i dytë më i mirë sezonal për “Djallin”, por me një mesatare prej 0.64 golash për ndeshje, është golashënuesi më i mirë kuqezi që nga viti 1994.

Sidoqoftë, gjendja paraqitet e qetë mes palëve, pavarësisht se mes Mino Raiolës dhe Paolo Maldinit diskutimet kanë qenë disi të nxehta siç raporton “Sportmediaset”. Ibra po kërkon më tepër se dyfishin e pagës së marrë në gjysmën e sezonit të kaluar dhe kjo përpjekje për të “përfituar” nuk i ka pëlqyer aspak drejtorit, që gjithsesi nuk e ka humbur besimin për të rrëmbyer firmën e Zlatanit.

FYTYRË E NOHUR

Kërkesat e menaxherit të sulmuesit dalin edhe jashtë fushe. Raiola e di mirë rëndësinë ekonomike që ka Ibrahimoviç për klubin. Lojtari ka rritur entuziazmin e tifozërisë, çka po reflektohet në shitjet e fanellës së re.

Të njëjtin efekt duhet të ketë edhe kur të hapen stadiumet, sidomos nëse ekipi i Piolit ruan ecurinë e mirë të muajve të fundit dhe arrin të futet në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Ibra është fytyra më e njohur e “Djallit” dhe përveç klubit, këtë e di fort mirë edhe menaxheri i cili jo më kot ka shënjestruar pagën pre 7.5 milionë eurosh për lojtarin, për të cilin kujdeset prej thuajse dy dekadash.

Artikulli i mëparshëmEuropa League/ Interi pret biletën për finale, ‘deklason’ Shakhtarin
Artikulli i radhësRekord historik/ Foto Strakosha në librin e artë të futbollit grek