Vazhdojnë përplasjet mes Perëndimit dhe Rusisë, në lidhje me situatën politike në Bjellorusi.
Së fundmi, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se është e pamundur që faktori ndërkombëtar të arrijë në përfundimin se zgjedhjet e 9 gushtit janë fituar apo jo nga ana e Lukashenkos.
“Është e pamundur që faktori ndërkombëtar të thotë se Aleksandër Lukashenko nuk fitoi zgjedhjet e 9 gushtit”, tha Lavrov në një konferencë në kryeqytetin rus.
Ai shtoi se Moska bën thirrje për një dialog të vertetë kombëtar politik në Bjellorusi, njofton agjencia e lajmeve RIA.
Në Bjellorusi, ka thuajse 2 javë që opozitarë dhe demonstrues janë shprehur kundër rezultatit të zgjedhjeve të datës 9 gusht, ku u konfirmua në postin e presidentit, Aleksandër Lukashenko, njeriu që ka dominuar skenën politike në vend për 26 vjet.
Liderja opozitare u shpreh se Lukashenko ka vjedhur zgjedhjet, ndërsa vetë kreu i shtetit bjellorus deklaroi se nuk pranon përsëritje të procesit.
Në lidhje me këtë krizë në Bjellorusi, ka pasur debate të gjera edhe në Bashkimin Europian, që kërkoi që OSBE të mund të zgjidhë këtë cështje kaq të rëndësishme.