Pak nga pak po zbulohen planet e Ronald Kumanit për projektin e tij që do të nisë zyrtarisht më 31 gusht. Presidenti Bartomeu duket se ia thjeshtoi punën duke thënë disa ditë më parë se lojtarë si Mesi, De Jong, Grizman, Ter Shtegen, Dembele, Lengle, Semedo dhe Ansu Fati janë të paprekshëm dhe nuk do të dëgjohen oferta për ta.
Mirëpo, duket se numri një i klubit ka harruar një emër shumë të rëndësishëm për trajnerin holandez: Xherard Pike. Sipas mediave katalanase, mbrojtësi i Barcelonës nuk është në listën e zezë, përkundrazi. Ai do të jetë një element shumë i rëndësishëm për formacionin e Kumanit dhe e ardhmja e tij në skuadër nuk është në diskutim.
Duhet të kujtojmë se Pike ishte i pari që mori përgjegjësitë dhe doli përpara mediave pas humbjes së Barcelonës ndaj Bajernit. Ai tha se ishte gati që të largohej për t’i hapur rrugë revolucionit. Dhe nëse Pike i ka shpëtuar largimit, duket se emrat e tjerë të mëdhenj dhe të rëndësishëm si Suarez, Buskets dhe Hordi Alba nuk e bindin aspak trajnerin Kuman.