Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny është duke u trajtuar në spitalin “charite” në Berlin të Gjermanisë, pasi dyshohet se është helmuar.
Navalny ndodhej në avion kur ishte ndjerë keq dhe avioni bëri ulje emergjente, me liderin e opozitës që fillimisht u transportua në një spital rus dhe më pas u dërgua në Gjermani.
Sipas mjekëve, simptomat që ka Navalny janë të njëjta me ato të Pyotr Verzilov, një tjetër opozitar rus që u trajtua për helmim të ngjashëm në spitalin “Charite” në Berlin, rreth dy vite më parë.
“Nëse Navalny është helmuar, ka shumë të ngjarë që të jetë një helm neuro-muskulor që çon në paralizë. Nëse është helmim, do ta dimë në dy deri në tre ditë”, tha dr. Andrej Trampuž, një mjek slloven, specialist i infektologjisë dhe mjekësisë së brendshme, i cili jeton për shumë vite në Berlin dhe punon në spitalin “Charite”, ku opozitari rus Navalny u pranua për trajtim.
“Ai është vendosur në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit tonë, ai është akoma në gjendje kome, por është në një gjendje të qëndrueshme dhe do të kujdeset nga intensivistët më të mirë gjermanë. Fluturimi pesë-orësh nga Omsku për në Berlin shkoi në rendin më të mirë të mundshëm dhe nuk pati komplikime. Mostrat e gjakut dhe urinës u morën nga Navalny, dhe tani do të kryhen të gjitha analizat toksikologjike për të përcaktuar se për çfarë bëhet fjalë dhe nëse pacienti ynë është vërtet i helmuar, siç thonë njerëzit afër tij.
Në mënyrë që të mund të përcaktohet nëse një pacient është helmuar, është e nevojshme që ai të sillet në spitalin tonë brenda pesë deri në shtatë ditë pas ngjarjes. Trajtimi i tij do të ketë kujdesin kryesisht të anesteziologëve, posaçërisht të mjekëve të kujdesit intensiv, dhe nëse ndodh një infeksion, ekipi im i mjekëve do të kujdeset për të”, tha Dr. Trampuž.