Minatorët viktima të një ligji absurd/ Detyrohen të kthejnë 50% të pensionit të pleqërisë

0
Minatorët viktima të një ligji absurd/ Detyrohen të kthejnë 50% të pensionit të pleqërisë

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Gjeologëve dhe Punës Nëntokë te degës së Pukës Prend Marku, ka ngritur shqetësimin në lidhje me pensionet e pleqërisë së minatorëve, të cilët një ligj absurd, sipas tij, i detyron të kthejnë 50% të shumës.

Problematikën të cilën e ka shtjelluar me detajë në një deklaratë shpërndarë për mediat, thotë se e ka përciellë  në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, por nuk kanë denjuar të kthejnë qoftë dhe një përgjigje të thatë!

“Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Avokati i Popullit ku jemi  drejtuar për zgjidhjen e këtij ngërçi, me pasoja të rënda sociale për këtë shtresë të pensionistave të këtij vendi, nuk e kanë marrë seriozosht zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tregon ai.

“Dua të bëj me dije publike dhe të vë dijeni institucionet e shtetit, Kuvendin dhe qeverinë  shqiptare, lidhur me një çështje jetike të pjesës më të vuajtur e më të diskriminuar të punëtorisë, pensionistëve të punës në nëntokë, që kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre, duke punuar në frontin më të vështirë dhe më rrezikshëm të punëve në këtë vend.

Këta punonjës, pasi iu është dhënë një pension qesharak dhe i padenjë për mundin dhe dhimbjet e tyre pa fund, në ato galeri vdekje, tani janë të detyruar të kthejnë paratë e marra të këtij pensioni, për arsye se kanë qenë të detyruar të punojnë dhe në punë të tjera për të mbajtur frymën gjallë!

Por le të rrëfejmë se çfarë ka ngjarë që në krye të herës dhe çfarë kërkon sot kjo shtresë e marrë peng e punëtorisë, nga ligje absurde dhe institucione jo më pak absurde, të një shteti që mendon për shumëçka, por jo për jetën dhe dinjitetin e këtyre njerëzve të ndershëm, që kanë derdhur djersë e gjak në nëntokën problematike shqiptare!

Historia nis që në fillimet e hapjes së Shqipërisë, kur në emër të gjoja “dekomunistizimit”, u rrënua thuajse gjithçka dhe shteroi baza e punës dhe e prodhimit në këtë vend. Nga viti 1992 e deri në mbylljen e 95 përqind të ndërmarrjeve të minierave, ndërmarrjeve gjeologjike dhe Ndërtim Minierat e punës në nëntokë, punonjësit e minierës mbetën pa punë dhe në mëshirë të fatit. E ndodhur para ankesave dhe protestave të vazhdueshme të kësaj shtrese, e cila ndodhej nën ankthin ekzistecial të një papunësie marramendëse, qeveria miratoi ligjin nr.8685, datë 9/11/2000 dhe VKM nr.73, datë 15/02/2001 për trajtim me pension të të gjithë punonjësve të punës në nëntokë, të cilët kishin kishin 23 vite pune gjithësej, nga të cilat punë në nëntokë 11.6 vite. Këta punonjës të punës në nëntokë u vlerësuan me një pension standard prej 5148 lekë në muaj. Me këtë akt, qeveria mendoi se i kishte larë “’llogaritë”me këtë shtresë të nëpërkëmbur të shoqërisë, kur dihet se me aq para sa do t’i jepej penision një punonjësi të nëntokës kushtonte një ilaç për kurimin e sëmundjes së silikozës!

E vërteta është se shumica e këtyre punonjësve që përfituan këtë pension, nuk janë njohur me përmbajtjen dhe rregullat e ligjit, pasi vetë arsimi i tyre i ulët, sëmundjet, varfëria, largësia nga vendbanimi etj, kanë qenë në disfavor të një informimi të mundshëm dhe real të tyre për gjithçka që duhet të bashkëshoqëronte procesin e marrjes së këtij pensioni.

Nga ana tjetër, punësimi nga ana e tyre është bërë në mënyrë të rregullt, në përputhje me Kodin e Punës, me kontratë të rregullt pune, sipas legjislacionit të shtetit shqiptar. Listë pagesat iu dorëzoheshin çdo muaj Sigurimeve Shoqërore dhe Tatim-Taksave, duke u kryer rakordime të rregullta nga ana e institucioneve ku punonin.

Lind pyetja: Nëse kishte “shkelje”, përse instutionet përgjegjëse nuk bënë ndërprerjen e pensionit në të dy rastet, por i kthehen pas kaq kohe kësaj “shkeljeje”, duke kërkuar kthimin e parave të përfituara nga pensioni dhe duke dëmtuar kështu rëndë nivelin e jetesës së ish punëtorëve të nëntokës, që edhe pa këtë “detyrim ekstra” do të ishte në kuota fare të ulëta!?

Si pasojë e punës së rëndë dhe të rrezikshme në nëntokë, shumica e këtyre punëtorëve nuk e kalon moshën e jetës mbi 60-65 vjeç, duke bërë që shteti në këto rrethana të jetë debitor moral dhe financiar ndaj kësaj shtrese të kaq të përvujatur dhe të marrë nëpër këmbë.

Në rrethanat e pamundësisë për të siguruar as kafenë e mëngjesit dhe cigaret, me aq para sa iu siguronte ky pension, shumica e përfituesve të këtij pensioni u punësuan në punë të tjera, por megjithëse të punësuar konform rregullave dhe ligjeve të shtetit shqiptar, këta të punësuar kanë dalë debitorë tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe janë të detyruar t’i kthejnë këtij instituti paratë e përfituara nga ky pension i akorduar me ligj të posaçëm në favor të tyre!

Pra, tani në pension pleqërie, iu bëhet ndalesa në masën 50 përqind të shumës së pensionit të pleqërisë. Pensioni është llogaritur në masën 12.500 deri në 14.000 lekë në muaj, një pension që shpreh jo vetëm mosvlerësim për punën dhe djersën e tyre, por dhe diskriminim shoqëror, çfarë është e dënueshme për një shtet, ku kontributorët me sakrifikuesit më të mëdhenj marrin pensionet më të vogla dhe që nuk iu mundësojnë dot as mbijetesën!

Në ligjin e faljes nr.72/2017 nuk janë falur detyrimet e krijuara nga punësimi sipas ligjit 8685 datë 9/12/2000, por u falën vetëm detyrimet e krijuara nga punësimi sipas ligjit  nr. 150/2014.

Periudha e faljes përfshihej në segmentin kohor 1.01.2015 deri më 31.12.2016, ndërsa periudha e detyrimeve të krijuara nga prilli 2001 deri më 31 dhjetor 2014 nuk u falen, por vazhdojnë t’iu mbahen si ndalesa në çdo muaj të marrjes së pensionit, duke e rënduar shumë “xhepin” personal dhe familjar të këtyre punonjësve, të marrë peng nga një psikologji absurde dhe ligje po kaq absurde, që vetëm për neglizhencë të institucioneve të shtetit shqiptar vazhdojnë të mbajnë nën trysnin e një ekzistence njerëzore thuajse të privuar këta hallexhinj të sëmurë e të pamundur të nëntokës shqiptare.

Lidhur me këtë problem jetik për pensionistat e punës në nëntokë, ne e kemi ngritur zërin në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, por zëri ynë ka rënë në vesh të shurdhër dhe për fat të keq jo vetëm nuk është vepruar për heqjen e kësaj “barre” nga supet e brishtë të këtyre hallexhinjve të këputur, por nuk kanë denjuar të na kthejnë qoftë dhe një përgjigje të thatë! Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Avokati i Popullit ku jemi  drejtuar për zgjidhjen e këtij ngërçi, me pasoja të rënda sociale për këtë shtresë të pensionistave të këtij vendi, nuk e kanë marrë seriozosht zgjidhjen e kësaj çështjeje. Përderisa ligji 8685 datë 9.11.2000 është ndryshuar do të thotë se ky ligj ka rënë dhe duhet ndërhyrja urgjente e Institutit të Sigurimeve Shoqërore që të kryejë ndërprerjen e ndalesave që u bëhet këtyre pensionistëve, pasi niveli i tyre i ulët ekonomik ka rënë akoma më shumë për shkak të tërmetit të rëndë të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë që po përjetojmë të gjithë. Nuk e teprojmë kur themi se pensionistat e nëntokës sot vuajnë dhe për bukën e gojës, lere për të tjerat që as bëhet fjalë. Këta heronj të nëntokës, që i kanë dhënë shtetit floririn, nuk mund të vazhdojnë të ndëshkohen për faj të institucioneve burokratike dhe të papërgjegjshme të këtij shteti, që po i viktimizon dhe diskriminon ata pambarimisht!

Ne nuk pretendojmë kthimin e shumave të parave të mbajtura nga këto pensione deri më tani, edhe pse kjo do të qe normale dhe një detyrim moral e ligjor për një shtet dhe shoqëri për mendimin tim të papërgjegjshme.

Ne kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të kësaj “gjobe” dhe faljen e detyrimeve të mbetura që kanë aktualisht pensionistat e punës nëntokë.

Po të ekzistojë vullneti, senisbiliteti dhe interesimi i duhur, kjo çështje zgjidhet brenda një kohe të shkurtër dhe janë vetëm tre veprime që duhen kryer:

Së pari, t’i kërkohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore sa është detyrimi i mbetur nga fondi i sigurimeve shoqërore që kanë pensionistat e punës nën tokë, për shkak të punësimit të sipërpërmendur.

Së dyti, ky institucion t’i bëj relacion komisionit të ligjeve apo komisionit të veprimtarisë prodhuese të Kuvendit të Shqipërisë, për faljen e këtyre detyrimeve të mbetura.

Së treti, vendim-marrja nga Qeveria ose Kuvendi për faljen e detyrimeve të mbetura që kanë pensionistat e punës nën tokë ndaj fondit të Sigurimeve Shoqërore.

Ligjet bëhen që të jenë në shërbim të nevojave jetike të njerëzve dhe jo për të ndëshkuar ata që duhet të favorizoheshin, aq sa ishte e mundur, për shkak të kontributit të tyre në frontin më të vështirë të punës dhe prodhimit, të rrezikuar me jetën dhe shëndetin e tyre.

Sot po flitet dhe po veprohet për të kryer një amnisti të gjërë fiskale, ku ka gjasa të përfitojnë, përveç rasteve të përfitimit me të drejtë, edhe oligrakë dhe kriminelë me “jaka të bardha”; atëhere, pse qënka kaq e vështirë të ndërpritet menjëherë kjo padrejtësi e kthyer në ligj ndaj pensionistave të punës në nëntokë?!

Është koha të veprohet tani, menjëherë, pa ngurrim dhe me vetëdijen e instituicioneve që shohin përtej kundës së tyre burokratike dhe pandjeshmërisë kronike ndaj vuajtjes njerëzore.

Artikulli i mëparshëmZgjedhjet presidenciale në SHBA/ Profesori amerikan: Jam 91% i bindur, ja kush fiton
Artikulli i radhësBukuroshja australiane që po çmend meshkujt me format “bombë”/ Fotot më shpërthyese të modeles së fitnesit