SHBA kritikojnë Erdoganin për marrëdhëniet me grupin Hezbollah

0

Shtetet e Bashkuara thanë të martën se e kundërshtojnë me forcë pritjen e dy udhëheqësve të Hamasit nga Presidenti turk Reccep Tajip Erdogan në Stamboll.

Departamenti i Shtetit tha se zyrtarët ishin shpallur posaçërisht nga SHBA si Terroristë Globalë dhe Shtetet e Bashkuara po kërkonin informacione për njërin prej tyre si i përfshirë në sulme të shumta terroriste, rrëmbime avionësh dhe njerëzish.

Në një deklaratë të qeverisë turke të shtunën thuhej se Presidenti Erdogan kishte pritur Ismail Haniyeh, kryetarin e Byrosë Politike të Hamasit, dhe një delegacion që e shoqëronte.

Departamenti i Shtetit tha për takimin e së shtunës se ishte hera e dytë këtë vit që Presidenti Erdogan priste udhëheqësit e grupit islamik të armatosur që kontrollon Gazën prej më shumë se një dekade.

“Qasja e Presidentit Erdogan ndaj kësaj organizate terroriste shërben vetëm për të izoluar Turqinë nga bashkësia ndërkombëtare, dëmton interesat e palestinezëve dhe minon përpjekjet globale për të parandaluar sulmet terroriste të ndërmarra nga Gaza,” tha DASH në një deklaratë.

“Ne vazhdojmë të ngremë shqetësimet tona për marrëdhëniet e qeverisë turke me Hamasin në nivelet më të larta”, thuhej aty.

Vetëm disa orë më parë, Presidenti i SHBA Donald Trump e vlerësoi zotin Erdogan për lirimin e pastorit amerikan Andrew Brunson vitin e kaluar, pasi e kishte mbajtur për dy vjet rresht.

“Më duhet të them se, për mua Presidenti Erdogan u tregua shumë i mirë,” i tha Presidenti Trump pastorit Brunson gjatë një takimi me amerikanët e liruar nga arresti në vende të tjera. Takimi ishte regjistruar më parë dhe u transmetua në natën e parë të Kuvendit Kombëtar Republikan të hënën.

“Jam në dijeni se ata kishin në plan t’ju mbanin për një kohë të gjatë dhe ju ishit një njeri shumë i pafajshëm. Më në fund ai ra dakord pas disa bisedave që pata me të. Kështu që ne e vlerësojmë këtë, vlerësojmë popullin e Turqisë”, tha Presidenti Trump.

Marrëdhëniet e SHBA me aleatin e NATO-s, Turqinë, janë tensionuar për çështje të tilla si blerja nga Ankaraja e sistemit raketor rus S-400, gjë që e shtyu Uashingtonin të pezullonte përfshirjen e Turqisë në programin e avionëve amerikanë F-35 dhe të kërcënonte me sanksione.

Artikulli i mëparshëmGjermania, mesazh Turqisë nga Athina: Shkëndija më e vogël mund të çojë në katastrofë, ne dhe gjithë BE jemi me Greqinë
Artikulli i radhësGoditi me grusht pikturën 20 milionë paundëshe, 20-vjeçari britanik dënohet me 18 muaj burg