Eduart Lamaj i dyshuar si ekzekutor i biznesmenëve Bujar Lika e Paulin Gjergji Markaj, fundmajin e këtij viti, konsiderohej nga autoritetet greke të drejtësisë si një nga peshqit e mëdhenj të trafikut të kokainës.
Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Greqia, për akuzat e organizatës kriminale dhe trafikut të narkotikëve. Referuar dosjes penale, Lama, dyshohet si organizator i trafikut të 180 kg kokainë nga Amerika Latine me destinacion vendet e Bashkimit Europian, sasi e cila u bllokua muaj më parë në portin e Pireut në Athinë.
News24 mësoi se zyrtarët e drejtësisë greke kanë informuar palën shqiptare se kanë shpallur në kërkim Eduart Lamën dhe kërkojnë dorëzimin e tij. Por, në kushtet kur një shtetas shqiptar, nuk mund të ekstradohet nga Shqipëria drejt Greqisë, përderisa mungon një marrëveshje ekstradimi, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj iu kërkon autoriteteve të drejtësisë greke të transferojnë në Shqipëri procedimin penal për këtë person.
“Ministria e Drejtësisë në referencë të njoftimit të shpalljes në kërkim ndërkombëtar të shtetasit shqiptar, Eduart Lamaj, alias Leandro Simon nga autoritetet greke të drejtësisë, duke ju njoftuar për pamundësinë e ekstradimit nga Shqipëria në Greqi të këtij shtetasi, iu përcjell kërkesën e prokurorisë së Përgjithshme për transmetimin origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin të, bashkë me përkthimin përkatëse të të gjitha materialeve që lidhen me procedimin penal ndaj tij, për akuzat e organizatës kriminale dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, shkruan Gjonaj në letrën dërguar homologut grek të drejtësisë.
Për këtë çështje, News24 u interesua edhe pranë SPAK nëse për Eduart Lamaj, është çelur një çështje penale, por nuk mori një përgjigje të qartë. Eduart Lama në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, ekzekutoi Likën e Markaj, në hollin e hotelit A&A në Laç. Ai mbeti i plagosur në ngjarje dhe u arrestua 20 ditë më vonë në një klinikë private ku shkoi për t’u operuar pasi gjendja shëndetësore e tij ishte e rëndë. Pavarësisht, se ai ka pranuar autorësinë e krimit, prokuroria ende nuk ka hedhur dritë mbi motivin e krimit. Por, akuza e re e dalë në dritë për të, duket se po orienton edhe prokurorinë shqiptare të hetojë për një vrasjes që lidhet me prishjen e pazareve të drogës.