Edhe kur bota të ketë vaksinën kundër koronavirusit, njerëzit ka të ngjarë të kenë nevojë për 2 doza dhe jo vetëm 1 dhe kjo mund të shkaktojë probleme. Në një shkrim të gjatë të CNN thuhet se një nga problemet kryesore është shpërndarja e vaksinës dhe furnizimi i vendeve.
Shqetësimi tjetër i madh është bindja e njerëzve për ta marrë vaksinën. Sipas analizës së bërë bindja e njerëzve që të shkojnë për të bërë vaksinën jo një herë, por dy herë, mund të jetë e frikshme për ta.
“Nuk ka dyshim se ky do të jetë programi më i ndërlikuar, më i madh i vaksinimit në historinë njerëzore, dhe do të ketë një tjetër nivel përpjekjeje, sofistikimi, që ne kurrë nuk e kemi provuar më parë,” – tha Kelly Moore, mjeke në Universitetin Vanderbilt.
Dy nga kompanitë që po zhvillojnë vaksina kundër Covid-19, Moderna dhe Pfizer, tani janë në “Fazën 3” të provave klinike. 30 mijë vullnetarë po marrin dy doza nga Moderna në një distancë kohore prej 28 ditësh dhe me 21 ditë te Pfizer. AstraZeneca pritet të fillojë provat e “Fazës 3” këtë muaj. Novavax ende nuk ka filluar provat e Fazës 3 por ka përdorur 2 doza në provat e tyre të mëparshme.
Në provat e ardhshme të “Fazës 3” të Johnson & Johnson, disa pjesëmarrës do të marrin një dozë dhe të tjerët do të marrin dy doza. Nuk është për t’u habitur që njerëzit të kenë nevojë të vaksinohen 2 herë, pasi shumë vaksina të Hepatitit A dhe vaksina Herpes – kërkojnë dy doza. Disa sëmundje kërkojnë edhe më shumë se kaq. Fëmijët marrin 5 doza të vaksinës DTaP, e cila i mbron ata nga difteria, tetanozi dhe pertusis.
Sipas sondazhit të CNN këtë muaj, 40% e amerikanëve deklaruan se nuk do të vaksinohen edhe nëse është falas. Pavarësisht se ka persona që duan të vaksinohen, të sigurosh 660 milion doza për 330 milion amerikanë dhe t’i bindësh të vaksinohen 2 herë duket si mision i pamundur.