Si po ndryshon tregu i fluturimeve nga pandemia: Trafiku bie 61%, rritet pesha e Air Albania dhe Wizz Air

0

Në 6 muajt e parë të vitit nga dhe drejt Aeroportit të Rinasit fluturuan gjithsej rreth 553 mijë pasagjerë, sipas të dhënave të Tirana International Airport (TIA), të përpunuara nga Monitor.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, trafiku i pasagjerëve ka rënë me 61%. Tkurrja erdhi që nga mesi i marsit, kur situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia detyroi mbylljen e të gjitha fluturimeve tregtare në prill dhe maj.

Në mars, trafiku në Rinas ra me 64%, në vetëm 76 mijë, nga 212 mijë pasagjerë në mars 2019. Në prill dhe në maj, nuk kishte asnjë fluturim tregtar, por vetëm përkatësisht 3,983 dhe 6,972 riatdhesime. Në qershor rifilluan fluturimet tregtare, me gjithsej rreth 28 mijë pasagjerë, me një tkurrje prej 91% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Rreth 40% e pasagjerëve kishin destinacion Italinë, në ulje nga kohët normale, kur trafiku drejt shtetit fqinj zinte gjysmën e totalit. Në qershor filluan dhe charterat turistikë me Bjellorusinë, ku fluturuan gjithsej (vajtje-ardhje) rreth 2300 pasagjerë.

Ndryshim ka shënuar dhe ndarja e tregut sipas kompanive ajrore. Më shumë sesa me pandeminë, këto ndryshime lidhen me mbylljen e Fly Ernest në janar të këtij viti (që zinte 17% të tregut të fluturimeve në fund të 2019-s), fillimin e operimeve të Air Albania dhe hyrjen agresive të operatorit me kosto të ulët, Wizz Air.

Sipas të dhënave nga TIA, kompania më e madhe në 6-mujorin e këtij viti vijoi të mbetetj Blue Panorama, me 21% të tregut, e pandryshuar në raport me një vit më parë. (Bëhet fjalë për peshën e tregut, ndërsa numri i pasagjerëve ka qenë në rënie të fortë për të gjitha kompanitë).

Në vend të dytë është ngjitur me shpejtësi Air Albania, kompania me një pjesë të pronësisë shtetërore, që hyri në treg në mes të vitit të kaluar. Në fund të 6 mujorit, Air Albania zinte 14% të tregut sipas numrit të pasagjerëve. Air Albania nisi fillimisht fluturimet drejt Stambollit, për t’u zgjeruar më pas drejt destinacioneve Italiane, Londrës e Frankfurtit. Air Albania ishte aktive dhe në fluturimet e riatdhesimit në prill e maj.

Albawings është në vend të tretë, me një rritje të peshës së tregut, nga 10 në fund të vitit në 14% për 6-mujorin e parë. Në vend të katërt ka kaluar Wizz Air, operatori ajror hungarez me kosto të ulët, i cili ishte mjaft agresiv pas fillimit të fluturimeve pas bllokimit, duke u zgjeruar në 25 destinacione dhe duke hapur dhe bazën në Shqipëri në korrik.

AlItalia kishte një pjesë tregu prej 7% të pandryshuar me fundin e 2019-s. Kompanitë e tjera kanë një peshë tregu 5% apo më pak.

Nga qershori, charterat fillonin e zinin 5% të tregut, deri në 10% në gusht, për shkak të fluturimeve turistike, gjeografia e të cilave u zgjerua ndjeshëm në 2019-n. Por këtë vit, numri i tyre mbetet i kufizuar vetëm te polakët, bjellorusët dhe ukrainasit, për shkak të pandemisë. Në qershor charterat zinin 1% të tregut (vetëm nga Bjellorusia), nga 5% në qershor 2019, kur nisën fluturimet nga Stokholmi, Tel Avivi, Helsinki, disa qytete Polake, Kopenhageni, Kievi, Riga etj.(Monitor)

Artikulli i mëparshëmMe pandeminë BE rigjeti shpirtin e etërve themelues
Artikulli i radhësGjithë fajin nuk e ka Covidi!