Bashkimi Universal i Postave dhe Organizata (UPU) Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO)u kanë kërkuar qeverive t’u sigurojnë fonde operatorëve të ngarkesave postare ajrore dhe të postës ekspres si dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur sfidat e paraqitura nga pandemia e COVID-19. Shërbimet postare varen nga avionët e pasagjerëve të cilët dërgojnë postën tek njerëzit në të gjithë botën.
Pandemia ka krijuar çrregullime të mëdha për këtë shërbim. Shumë qeveri kanë ndaluar apo kufizuar në maksimum udhëtimet ajrore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vendet e tyre. Kjo gjë po shkakton vonesa në dorëzimin e postës. Zëdhënësi i Bashkimit Postar Universal David Dadge i tha “Zërit të Amerikës” se posta ka reaguar duke krijuar linja të reja transporti, me kamionë e trena për t’u përballur me krizën.
“Ajo që ICAO dhe UPU po thonë se është nëse duam të kthehemi tek dërgesat e shpejta që siguronim më parë, duhet ta rimëkëmbim sistemin dhe se qeveritë duhet të ndihmojnë në këtë drejtim”, siç tha ai.
Zoti Dadge mohon se operimi me sukses i rrjetit postar ndërkombëtar po kërcënohet nga konkurrenca e kompanive private të cilat kanë ndërhyrë për të përmirësuar shërbimin për shkak të vonesave.
“Por të jem tërësisht i sinqertë, dhe shifra është mjaft e zymtë, kompanitë private ndoshta po dorëzojnë rreth 70 për qind të pakove dhe operatorët postarë rreth 30 për qind. Pra në thelb, bota po ndryshon dhe operatorët postarë duhet të lëvizin me kohën”, tha ai.
Zoti Dadge thotë se industria ka ndryshuar strategjinë e saj me shpejtësi dhe në mënyrë dramatike për të shpërndarë furnizimet me barna e mjete humanitare të nevojshme për të luftuar pandeminë. Ai tha se shërbimi postar nuk ka të bëjë vetëm me dërgimin fizik të saj (postës). Ai vë në dukje shumë nga shërbimet që po ofrohen kryen nëpërmjet internetit.
“Mendoj se falë pandemisë ky transformim dhe kjo lëvizje drejt sistemit dixhital, lëvizjes në internet do të jetë mënyra se si postimi përcakton vetëveten ndërsa shkojmë më tej në shekullin 21. Nuk ka të bëjë më me postën, por me pakot. Ka të bëjë më shumë me shërbimet financiare dhe me të bërit biznes”, thotë ai.
Ndërsa shërbimet private ofrojnë konkurrencë të fortë, zoti Dadge thotë se egzistojnë dyshime nëse ata do të dëshironin t’u dërgonin postën atyre njerëzve që jetojnë në zona të izoluara e të thella. Ai tha se kjo nuk është fitimprurëse nga pikëpamja financiare. Një tipar unik i sistemit universal postar thotë ai është se posta u dërgohet të gjithëve, të pasur e të varfër në të gjithë botën dhe me një kosto të përballueshme.