Ndërkohë që mendohej se do të bashkohej në një parti me deputetët Myslim Murrizin dhe Halit Valterin, deputetja Rudina Hajdari i surprizoi të gjithë me lëvizjen e saj në minutat e fundit duke u bashkuar me nismën ‘Thurja’.
Ndërkohë kurioziteti i të gjithëve është se kush do të jetë kreu i kësaj partie, duke qenë se një nga drejtuesit e nismës Thurje, Panajot Sako u shpreh se nuk do të jetë Rudina Hajdari kryetare. Sipas tij në krye do të vihet figurë e njohur, një artist që është bashkuar me vlerat dhe idetë e Thurjes.
Sipas Dosja, artisti që mund të jetë në krye të kësaj force politike është aktori i njohur Mirush Kabashi. Megjithëse në gjendje shëndetësore jo perfekte, ai pritet të marrë përsipër drejtimin honorifik të partisë që do të regjistrojë Nisma Thurje dhe Rudina Hajdari.
Aktori i njohur, që prej vitesh mishëron revoltën ndaj sistemit politik nëpërmjet monodramës “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, është bashkuar herët me aktivistët e Thurjes. Rreth 1 vit më parë ai u përfshi në fushatën prezantuese të nismës në gjithë vendin, që përfundoi me një takim të madh në Pallatin e Kongreseve.