Një nga emrat e njohur të botës së krimit në Serbi është eleminuar një ditë më parë pas një shpërthimi me eksploziv në makinën me të cilën udhëtonte. “I paprekshmi” i Serbisë, Strahinja Stojanovic, ka gjetur vdekjen pasi “BMW” luksoze e tij shpërtheu papritur.
Mësohet se gjatë shpërthimit ai humbi dy këmbët, por kur shkoi në spital ai ndërroi jetë.
Në momentin e shpërthimit, Stojanovic ndodhej në makinë me missin dhe modelen kolumbiane, Sonja Suarez Gomez, e cila pësoi vetëm disa lëndime të lehta. Bëhet me dije se pak pas shpërthimit, 30-vjeçari ka arritur të bisedojë me mjekët që kanë ardhur për ndihmën e parë, por vetëm pak orë më vonë humbi jetën.
Stojanoviç kishte lidhje të forta në botën e krimit serb. Emri i tij është lidhur publikisht me disa vrasje, por ai kurrë nuk është akuzuar për ndonjë prej tyre.