Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me shqiptarët e arrestuar jashtë vendit, në kuadër të operacionit “Los Blancos”, që është shtrirë në 10 shtete. Personat që janë arrestuar jashtë vendit për llogari të këtij operacioni janë Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç.
Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani; Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë; Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë; Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari. Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.
Kujtojmë se Dritan Rexhepi është shqiptari që dyshohet se është ‘koka’ e rrjetit që kishte trafikuar në total një shumë prej 4.5 ton kokainë nga vendet e amerikës latine. Ai konsiderohej si një nga shqiptarët me të kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve, derisa u kap nga Interpoli në Amerikën e Jugut. I shumëkërkuari u arrestua në Katalunja të Ekuadorit, ku sot po vuan dënimin për një sërë veprash penale.
Ndërkohë që në Shqipëri, lidhur me këtë operacion janë vënë në pranga 5 persona, që janë edhe miq të afërt me Rexhepin, vlonjatin 40 vjeçar, që kishte arritur të ndërtonte një perandori të tërë droge.
Në Tiranë lidhur me këtë operacion të koduar “Los Blancos” është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi Gentjan Manaj. Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit Elvis Jaupaj dhe Jorin Llambro. Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi Rexhino Ibrahimi dhe në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi Vladimir Lesaj.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë për operacionin mjaft të suksesshëm ndërkombëtar të koduar “LOS BLANCOS”, zhvilluar me homologët ndërkombëtar, si rezultat i të cilit, në Shqipëri, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit u kapën dhe u arrestuan 5 persona, bëjmë me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” edhe për disa shtetas të tjerë, pjesëmarrës të organizatës kriminale, të cilët janë rezidentë jashtë shtetit.
Si rezultat i koordinimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe policive të përfshira në operacion u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç, person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit.
Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me autoritetet policore italiane, rumune, holandeze, spanjolle dhe hungareze, në kuadër të operacionit “LOS BLANCOS”, u bë u kapja dhe ekzekutimi i masave të sigurisë për shtetasit: Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani; Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë; Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë; Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari.
Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.
Policia e Shtetit ka një bashkëpunim solid me partnerët dhe është e angazhuar maksimalisht dhe me profesionalizëm në finalizimin e shumë operacioneve të rëndësishme në kuadër të goditjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme që do bëhen prezent në kohën e duhur.