Europol njoftoi se ka goditur një grup të fuqishëm kriminal shqiptar. Sipas tyre, grupi i njohur me emrin ‘Kompania Bello’ ishte ndër më aktivët për trafikun e kokainës në Europë. 20 persona janë arrestuar në 10 vende.
Sipas njoftimit, janë kapur 4 ton kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro në cash.
“Një operacion ndërkombëtar i paprecedent, ku u përfshinë autoritetet të forcave të rendit dhe gjyqësorit në 10 vende, ka rezultuar në shkatërrimin e një grupi kriminal shqiptar të quajtur ‘Kompania BELLO’, një prej rrjeteve më aktive të trafikut të kokainës në Europë,” thuhet në njoftim.
20 personat e arrestuar janë kapur: 5 në Itali, 2 në Holandë, 2 në Gjermani, 2 në Greqi, 1 në Rumani, 1 në Spanjë, 1 në Hungari, 5 në Shqipëri dhe një në Dubai.
“Këto arrestime pasojnë ato të 84 anëtarëve të këtij grupi kriminal më herët gjatë një hetimi në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani”.
“Afër 4 ton me kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro në cash janë sekuestruar gjatë hetimit”.
Europol ka njoftuar se një 40-vjeçar shqiptar drejtonte organizatën kriminale nga Ekuadori. Ndërkohë mediat shqiptare thonë se bëhet fjalë për 40-vjeçarin Dritan Rexhepi.
Në njoftim është sqaruar edhe metoda e punës e grupit kriminal.
“Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtare të kokainës punuan veçmas me shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Në këtë rast, rrjeti shqipfolës nën hetim e hodhi poshtë modelin dhe e kontrollonte të gjithë zinxhirin- që nga rregullimi i dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut e deri te shpërndarja në të gjithë Europën”.
“Duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit, kreu i organizatës- një shtetas shqiptar 40-vjeçar i vendosur në Ekuador- negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, duke organizuar dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Europës, dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizonte shpërndarjen në të të gjithë Eiropën. Kokaina kontrabandohej përmes kufijve europianë e fshehur në automjete të pajisura me ndarje të fshehta të sofistikuara”, thuhet në deklaratën e Europol.