Turqia dhe Greqia janë gati të rinisin bisedimet mbi pretendimet e tyre të kontestuara detare në Mesdheun lindor, tha presidenca turke, pas takimeve midis udhëheqësve të Turqisë, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian të martën.
Sipas medieve të huaja, të dyja palët i patën ndërprerë bisedimet në vitin 2016, ndërsa tensionet u ndezën muajin e kaluar kur Turqia nisi eksplorimet për burime natyrore në ujërat e diskutueshme.
Anijet luftarake turke dhe ato greke u përplasën, duke nxitur një rrezik të përshkallëzimit ushtarak.
Ndërkohë, të martën presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, zhvilloi një takim virtual me kancelaren gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës ka ndërmjetësuar në këtë mosmarrëveshje; ai gjithashtu bisedoi edhe me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel.
“Gjatë këtij samiti ku u diskutua për zhvillimet në Mesdheun lindor, u deklarua se Turqia dhe Greqia janë shprehur të gatshme për fillimin e bisedimeve”, theksoi presidenca e Turqisë në një deklaratë.