200 ditët e COVID-19

0

Me urgjencë e pa paralajmërim, në mëngjesin e 9 marsit, e hënë, Qeveria urdhëroi mbylljen e menjëhershme të shkollave. Mësues e nxënës ikën në panik. Lanë pas klasat dhe oborret bosh. Mjaftuan dy rastet e para, baba e bir, me COVID-19.

Një javë më herët, më 2 mars në Kuvend, Kryerilindësi tallej me ata që kërkonin maska e thoshte se maskat “… do mbeten si relike aty, për të kujtuar se një ditë kaloi këtej…, njëfarë epidemie që quhej koronavirus”.

Gjatë ditëve të javës, Qeveria ndërmori me shpejtësi një seri vendimesh që mbyllen shumë aktivitete e kufizuan në ekstrem lëvizjen e njerëzve e mjeteve, ndërsa më 24 mars shpalli, ca me vonesë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore, që e zgjati me tepri deri me 23 qershor.

Që nga 9 marsi deri me 24 shtator bëjnë plot 200 ditë nën efektin e COVID-19.

Sipas të dhënave të Qeverisë, në ditën e 100-të, më 16 qershor, në Shqipëri ishin prekur nga virusi 1,672 vetë, kishin vdekur 37, ishin të sëmurë aktivë 571 vetë dhe ishte shëruar pjesa tjetër prej 1,064 vetë. Në raport me 1 milion banorë, këto vlera janë respektivisht 580 të prekur; 13 të vdekur; 197 të sëmurë aktivë; 370 të shëruar.

Minimumi i rasteve aktive, 161 vetë gjithsej, u shënua më 12 maj apo ne ditën e 65-të. Pas kësaj date, përkuar me lehtësimin e masave shtrënguese, rinisi përhapja e virusit. Gjithsesi, deri më 16 qershor Shqipëria hynte në 5-6 vendet e kontinentit europian me përhapjen më të ulët të virusit bazuar në treguesit për 1 milion banorë, së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Letoninë e ndonjë tjetër.

Sa për krahasim, më 16 qershor Greqia kishte 3,148 të prekur; 185 të vdekur; 1,589 aktivë; 1,374 të shëruar. Për 1 milion banorë këto shifra për Greqinë janë: 302 të prekur; 18 të vdekur; 153 aktivë; 131 të shëruar.

Në të njëjtën datë Gjermania numëronte 188,382 të prekur; 8,910 të vdekur; 6,372 aktivë; 173,100 të shëruar. Për 1 milion banorë këto shifra për Gjermaninë janë: 2,247 të prekur; 106 të vdekur; 76 aktivë; 2,065 të shëruar.

Edhe Shqipëria, edhe Greqia u izoluan shpejt dhe fort, për rrjedhojë, të dy vendet u preken fare pak nga virusi në atë fazë të parë. Me 16 qershor shifrat e Greqisë duken diçka më pozitive se të Shqipërisë, përveç numrit të vdekjeve për 1 milion banorë, të cilin Shqipëria e ka ca më të ulët.

Gjermania, ndonëse mjaft më mirë se disa vende të tjera të mëdha e të pasura europiane, gjithsesi, në krahasim me Shqipërinë dhe Greqinë u prek mjaft më fort nga virusi, por e mori shpejt veten dhe më 16 qershor rezulton se e ka numrin e të sëmurëve aktivë për 1 milion banorë, më të ulët se Shqipëria dhe Greqia.

Me fjale të tjera, në fillim dy vendet tona fqinje u ruajtën mjaft mirë e u prekën fare lehtë nga virusi; Gjermania u prek ndjeshëm, por u shërua me shpejtësi.

Mbas 100 ditësh të tjera, më 24 shtator rezulton se:

-Shqipëria numëron 12,921 të prekur; 370 të vdekur; 5,312 aktivë; 7,239 të shëruar e, për 1 milion banorë 4,486 të prekur; 128 të vdekur; 1,844 aktivë; 2,514 të shëruar;

-Greqia numëron 16,627 të prekur; 366 të vdekur; 6,272 aktivë; 9,989 të shëruar e, për 1 milion banorë 1,597 të prekur; 35 të vdekur; 602 aktivë; 960 të shëruar;

-Gjermania numëron 281,345 të prekur; 9,519 të vdekur; 22,326 aktivë; 249,500 të shëruar e, për 1 milion banorë 3,355 të prekur; 114 të vdekur, 266 aktivë; 2,975 të shëruar.

Siç duket nga këto të dhëna, Greqia nuk u sëmur as në dimer e pranverë e as në verë, ndonëse u hap. Gjermania u sëmur në dimër, u shërua në pranverë dhe e ruajti veten mjaft mirë në verë, ndonëse u hap. Shqipëria e nisi mirë në dimër, u hap në pranverë, u sëmur në verë.

Në 100 ditët e dyta treguesit e të sëmurëve aktivë dhe të vdekjeve të Shqipërisë u përkeqësuan me rreth 10 herë krahasuar me treguesit tanë të 16 qershorit. Këto tregues për 1 milion banorë janë sot mbi 3 herë më lart për keq se Greqia, ndërsa të sëmurët aktivë për 1 milion banorë janë rreth 7 herë më shumë në Shqipëri krahasimisht në Gjermani, ndërkohë që kapëm e tejkaluam për keq Gjermaninë edhe në treguesin e vdekjeve gjithsej për 1 milion banorë.

Mbas 100 ditësh prej 16 qershorit, nga pjese e grupit të 5-6 vendeve me treguesin më të ulet të vdekjeve për 1 milion banorë, më 24 shtator këtë tregues e kemi më të lartë se 22 vende e territore të tjera të Kontinentit Europian, disa Mesdhetare, disa Ballkanike, disa të Europës Qendrore e disa të Europës Veriore a Lindore, të gjitha më keq se ne më 16 qershor, të gjitha nën regjim të hapur edhe më shumë se ne gjatë verës, sot më mirë e mjaft më mirë se ne.

Asgjë nuk e shpjegon këtë përkeqësim të Shqipërisë, edhe absolut edhe relativ, përveç shkujdesjes shoqërore dhe paaftësisë shtetërore.

Ruajna Zot në dimër!

Artikulli i mëparshëmOpozita në zgjedhje, përtej karriges së Lulit dhe Monikës
Artikulli i radhësKëngëtarja e njohur rrëfen traumat e fëmijërisë: Motra tentoi të më shiste si prostitute…