Në kohën kur rastet me covid vazhdojnë të jenë shqetësuese dhe askush nuk di se sa do të zgjasë pamdemia, kryesore mbetet ruajtja e masave mbrojtëse.
Nisur nga kjo situatë, kompania SV MEGA në Librazhd, prej disa muajsh ka nisur prodhimin e maskave të çertifikuara CE të cilat janë të destinuara për eksport.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përgëzoi sipërmarrësin për veprimet e zgjuara dhe të menjëhershme për t’ju përgjigjur një situate të paparashikuar.
Në fjalën e tij Balla tha se maskat janë të një cilësie të lartë dhe mbajnë vulën “made in Albania”.
“Kjo njësi prodhimi nisi punën me prodhimin e maskave vetëm pak muaj më parë, si rrjedhojë e një situate të paparashikuar që përfshiu të gjithë botën. Tashmë këtu prodhohen maska të çertifikuara CE, maska kirurgjikale, pra maska që përdoren edhe në shërbimin spitalor. Prodhimi është i rezervuar për eksport në Itali dhe në Spanjë.
Vetëm në pak javë janë prodhuar mbi 800 mijë maska ndërsa kapaciteti është 1 milion maska në muaj, duke u bërë një nga kontributorët kryesorë. Gjej rastin t’u bëj apel të gjithë qytetarëve të përdorin maskat, jo vetëm në ambiente të mbyllura, që është e detyrueshme, por në çdo ambient ku ka përqëndrime njerëzish”, deklaroi Balla.
Sipas Ballës, fabrika e cila deri më dje prodhonte pjesë për makina, shumë shpejt krijoi një sektor për t’ju përgjigjur situatës së momentit.
“Maskat kirurgjikale janë të përdorshme edhe për përdorim spitalor, duke bërë që prodhimi i tyre “made in Albania” të vazhdojë edhe pas pandemisë”, tha Balla.