Intervistë me Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme, Devoll Hydropower Sh.A.
Krahas gazsjellësit TAP, investimet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll kanë qenë ndër më të mëdhenjtë në vend, me një vlerë totale prej 590 milionë euro.
Tashmë ndërtimi i tyre ka përfunduar dhe kompania norvegjeze Statkraft qe investoi në kaskadën e Devollit, është e fokusuar në prodhimin e energjive të rinovueshme, që është zgjidhja për të luftuar ndryshimet klimatike.
Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme, Devoll Hydropower Sh.A. thotë se të dy hidrocentralet e kaskadës së Devollit planifikohet të prodhojnë rreth 700 GWh/vit. (totali i energjisë së prodhuar në vend në 2019-n ishte 5208 GWh, sipas INSTAT).
Në çfarë faze kanë arritur investimet e kompanisë. Sa është vlera totale e investimeve?
Aktualisht jemi në prag të përmbylljes së investimit të planifikuar në Kaskadën e Devollit.
Përfunduam ndërtimin e hidrocentralit të Banjës në vitin 2016 kur edhe filloi operimi tregtar, ndërsa para pak muajve kemi filluar operimet tregtare në hidrocentralin e Moglicës, që është dhe hidrocentrali me i madh i kaskadës. Momentalisht jemi në fazën përmbyllëse të investimit në hidrocentralin e Moglicës, me planin që brenda vitit 2020 të përfundohet.
Investimi në kaskadën e Devollit është rreth 590 milionë euro. Kompania norvegjeze Statkraft qe investoi në kaskadën e Devollit, është e fokusuar në prodhimin e energjive të rinovueshme, që është zgjidhja për të luftuar ndryshimet klimatike. Kaskada e Devollit prodhon energji të rinovueshme, në harmoni me mjedisin.
Si ka qenë ecuria e Hec-it të Devollit në 2019 dhe 2020? Sa është prekur nga situata e Covid-19?
Për Devoll Hydropower Sh.A. (DHP) vitet 2019 dhe 2020 kanë qenë thelbësorë, kryesisht në aspektin e investimeve, pasi është afruar përmbyllja e investimit të hidrocentralit më të madh të kaskadës së Devollit, HEC Moglicë.
Gjatë vitit 2019 ka pasur një ulje të prodhimit të energjisë nga Hidrocentrali i Banjës, kryesisht për shkak të kushteve të pafavorshme hidrologjike (prurjeve nën mesatare) dhe mbushjen e parë të rezervuarit të Moglicës. Kjo ka sjellë edhe një rënie të të ardhurave krahasuar me vitin 2018.
Viti 2020 në fillime ishte mjaft pozitiv, por me shfaqjen e pandemisë tregu i energjisë elektrike është ndikuar negativisht, kryesisht me ulje të kërkesës për energji elektrike. Megjithatë, gjatë periudhës së pandemisë realizuam me sukses fillimin e operimeve tregtare nga hidrocentrali i Moglicës, i cili deri tani është duke operuar sipas planit.
Për shkak të pandemisë kemi hasur disa vonesa dhe vështirësi shtesë gjatë kësaj periudhe, por zhvillimet janë mirë-menaxhuar, dhe nuk kanë shkaktuar pasoja të qenësishme.
Situata e pandemisë na bëri të vëmë në veprim planet e reagimit në situata të emergjencës, dhe deri tani, gjërat kanë vazhduar rregullisht. Dhe natyrisht që procedurat dhe proceset tona po i përshtaten një realiteti të ri operimi dhe një tregu me nivel të shtuar risku.
Si ka rezultuar aktiviteti për HEC-in e sapopërfunduar të Moglicës?
HEC-i i Moglicës ka injektuar në treg një prodhim të reduktuar gjatë kësaj periudhe, pasi sapo ka filluar prodhimin. Deri tani rezultatet janë të kënaqshme, por vazhdojmë të ndjekim me vëmendje ecurinë e tregut të energjisë, veçanërisht në kuadër të pasojave nga situata e pandemisë.
Pjesa e mbetur e 2020-ës do na shërbejë edhe për të optimizuar më tej operimin e kaskadës në mënyrë sa më eficiente.
Me vënien në funksion të plote të dy HEC-eve, sa do të jetë kapaciteti prodhues dhe cilat janë tregjet e synuara?
HEC-i i Moglicës planifikohet të prodhojë mesatarisht rreth 450 GWh/vit, që e bën hidrocentralin më të madh privat në Shqipëri, ndërsa HEC Banjë prodhon rreth 250 GWh/vit. Të dy hidrocentralet e kaskadës së Devollit planifikohet të prodhojnë rreth 700 GWh/vit.
Ne jemi mjaft aktiv në tregun e brendshëm dhe të jashtëm të energjisë. Me fillimin e operimeve të hidrocentralit të Moglicës, kemi shtuar kapacitetin dhe rolin tonë në treg.
Tregu i energjisë elektrike në Shqipëri dhe rajon po zhvillohet me hapa të shpejta, dhe ne jemi pjesëmarrës aktiv në të, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë.
Nëse mund të bëni një vlerësim të ndikimit të investimeve tuaja në ekonominë shqiptare…
Investimet e huaja janë të nevojshme për shumë vende, përfshirë Shqipërinë, pasi sjellin kapitale si financiare, ashtu edhe njerëzore dhe njohuri (know how). Nëse marrim si reference investimin e Statkraft në kaskadën e Devollit, që ka qenë nga investimet më të rëndësishme të huaja në vend, vlerësojmë se ka qenë vlerë e shtuar për ekonominë shqiptare.
Statkraft ka besuar te Shqipëria, dhe e konsideron të suksesshëm një investim kaq afatgjatë siç është kaskada e Devollit./monitor.al