Gara e televizioneve këtë sezon, nga politika e “vjetër” te programet “dating”

0

Kostoja e prodhimit të programeve në televizione është rritur për shkak të pandemisë. Blerjet në tregjet ndërkombëtare, nga ana tjetër, nuk kanë pasur ndryshim çmimesh, por negociatat kanë marrë më shumë kohë për t’u finalizuar për shkak të “smart working”. Drejtuesit e televizioneve kryesore në vend pohojnë se nuk ka ndryshime drastike në programacion dhe janë ruajtur emisionet e strukturës, ndërkohë që ka edhe rikonceptime. COVID-19 ka tkurrur buxhetet e reklamave, duke shkaktuar një rënie të të ardhurave të thuajse të gjithë mediave. Pavarësisht kësaj, edhe këtë sezon, çmimet e reklamimit nuk kanë ndryshuar, duke mbetur në të njëjtat nivele të një viti më parë. Në ekrane, këtë sezon, nuk do të mungojë argëtimi, por do të shtohen edhe dozat e politikës në një vit elektoral. Ndërkohë vihet re rritja e numrit të emisioneve “dating”. 

Nertila Maho 

Pandemia i riktheu lavdinë televizionit, kur sidomos gjatë karantinës, studime ndërkombëtare nxorën në pah se njerëzit po shpenzonin 40% të kohës së tyre në këtë formë. Mesatarja e orëve të kaluara para televizorit ishte 6 orë e 30 minuta në ditë, ndërkohë u dyfishua në raport me periudhën e mëparshme, koha që kalohej në platforma online si Netflix, Amazon Prime Video apo Disney+. Shifrat e audiencës kërcyen me një rritje 71% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

E teksa në njërën anë, qëndronte një publik i “uritur” për pak argëtim e informim, në anën tjetër ishin mediat dhe gjithë zinxhiri i lidhur me to dhe ku realizimi i programeve e prodhimi i filmave e serialeve ishte kthyer në një mision të vështirë.

Pavarësisht se në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare të pranuara nga të gjithë, sa u takon treguesve të audiencës, kohës para ekranit apo platformave, nuk është vështirë të parashikosh se është ndjekur tendenca globale. Sezoni i kaluar në televizionet shqiptare, për shkak të paparashikueshmërisë, u përball me nevojën emergjente për përshtatje të programacionit me situatën.

Disa produksione u ndërprenë për shkak të kushteve strikte të distancimit që imponoi COVID-19, ndërsa të tjerë thjesht gjetën zgjidhje alternative. Ndryshe nga media e shkruar që mbylli dyert, mediat online dhe televizioni vijuan betejën nën moton “The show must go” (Shfaqja duhet të vazhdojë). Programet që i rezistuan situatës së pandemisë u zhvendosën nga studiot televizive në ambiente të hapura dhe me staf të reduktuar.

Publiku nuk ishte më i pranishëm, si një kusht i domosdoshëm për të mos lejuar përhapjen e virusit, kurse në disa raste të tjera, prezantuesit e programit ishin të vetmit në studio me të ftuar “online”, si një zgjidhje praktike dhe më e sigurt për të gjithë. Pandemia, ashtu sikurse ndodhi me çdo aspekt të jetës, ndryshoi edhe të bërit “të televizionit”.

Rriten koston për prodhimin e programeve në televizione 

Prodhimi i programeve ka marrë gjithmonë “pjesën e luanit” sa i takon shpenzimeve që bën një televizion, për të plotësuar programacionin e tij. Pavarësisht kësaj, televizionet gjeneraliste kanë synuar që t’i mëshojnë më shumë prodhimeve të tyre origjinale sesa blerjeve të gatshme, duke mbajtur një raport mes 12-17 orë prodhime programesh dhe pjesa tjetër, blerje që konsistojnë në seriale, filma, telenovela apo dokumentare. E sikur të mos ishte mjaftueshëm e vështirë pjesa e prodhimit edhe më herët, pandemia e ka bërë edhe më të vështirë, jo vetëm për shkak të kushteve sesi punohet, por sidomos për kostot.

Armand Shkullaku, Drejtor i Programeve në TV KLAN, nënvizon se kostot janë rritur gjatë pandemisë dhe shpjegon edhe arsyet pse vjen kjo. “Prodhimi në kohë pandemie është më i shtrenjtë, sepse njerëzit duhet të angazhohen më pak për të ruajtur veten dhe të tjerët nga përhapja e mundshme e virusit. Është më e vështirë të prodhosh, pasi mungesa e publikut ndihet në atmosferën e programeve. Kjo është një lloj pengese” pohon Shkullaku.

Në të njëjtën linjë është edhe Rezart Aga, Drejtor i Programacionit në Radio Televizionin Shqiptar. “Pa diskutim, si çdo televizion, edhe ne kemi bërë përshtatjet tona lidhur me situatën që u krijua nga pandemia. Sa i takon kostos së prodhimit, ajo është më e lartë sepse nuk janë në punë të gjithë kapacitetet, njerëzit largohen për hir të distancimit” – thotë Aga.

Negocimet për blerjet këtë vit zgjatën më shumë, shkak “smart working”

Nevoja për distancim fizik, për shkak të COVID-19, bëri që një pjesë e mirë e punëve të kryheshin nëpërmjet “smart working”, që do të thotë se punonjësit nuk e kishin të detyruar praninë në zyrë, por mund të punonin nga shtëpia. Një nga profilet që duket se ka prekur ky fenomen ishte edhe pjesa e agjentëve të cilët merren me shitjen e serialeve, filmave apo dokumentarëve për kompanitë që kanë të drejtat e tyre ekskluzive. Kjo ka zgjatur më shumë në kohë blerjet e reja këtë vit. Albert Dumani, Drejtor programacioni & Blerjesh në TV KLAN, pohon se nuk ka pasur rritje të çmimeve, por koha e negociatave ishte më e gjatë.

“Negocimi ka qenë i vështirë në kontaktin që kam pasur me distributorët e huaj, sepse shumica e tyre punon nga shtëpia, kështu që komunikimi me ta ishte më i gjatë këtë vit. Në lidhje me çmimin, pandemia duket se nuk ka ndikuar. I vetmi problem si për kompanitë prodhuese, ashtu dhe për mua në planifikim programacioni, ka qenë kohëzgjatja. Ishin parashikuar dhe kontraktuar shumë më tepër episode për sezonin që lamë pas, por prodhimi dhe xhirimi u ndërpre si në SHBA, Turqi, Brazil apo vende të tjera” – thekson Dumani.

Vjollca Dedei, e cila aktualisht mbulon pjesën e blerjeve për TOP Channel, tregon se në kohën e shpërthimit të pandemisë, kur një pjesë e programeve show u mbyllën, blerjet ishin emergjente dhe negociatat këtë vit kanë qenë ndryshe.

“Nuk mund të them as më i lehtë dhe as më i vështirë për këtë vit. Ishte ndryshe. Oraret e punës kishin ndryshuar. Ndërsa rrinim në shtëpi, oraret e punës humbnin në kohë. Bisedoje me ta në çdo kohë. Të gjithë ishin të trembur nga një ndodhi e beftë. Të gjithë punonin nga shtëpia, online.

Hera-herës, kjo situatë ndihmonte me çmimet, por kishte raste të tjera kur ishin të gatshëm të mbyllnin kontratën me kushtet e tua, po meqë të gjithë rrinin në shtëpi, nuk kishin mundësi të të dërgonin materialet dhe gjërat nuk funksiononin. Programacioni kërkonte ndryshim të menjëhershëm, pasi disa show u hoqën nga transmetimi, për shkak të pandemisë dhe programet e blera ishin një emergjencë” – pohon Dedei.

Kriza e COVID-19 tërhoqi reklamat, dobësohen buxhetet e marketingut

Efekti zinxhir që solli pandemia, jo vetëm në jetën e secilit, por edhe në gjithë sektorët e ekonomisë, preku edhe televizionet në një nga pikat e tyre kryesore, të ardhurat nga reklamat. Teksa audienca ishte mbërthyer para ekranit, pasi alternativat e argëtimit në karantinë janë të kufizuara, bizneset të gjendur në vështirësi, vendosën të ulnin buxhetet e marketingut. “Pavarësisht se puna jonë nuk u ndal, për asnjë moment, nga ana tjetër, biznesi pati një tërheqje. Kjo edhe për shkak të pasigurisë së krijuar rreth një situate që ende edhe sot askush nuk mund të thotë sesa mund të zgjasë dhe se kur do të mund të përfundojë.

Rialokimi i fondeve dedikuar marketingut në favor të zërave të tjerë brenda shumicës së bizneseve, pati impakt edhe në qasjen e biznesit për të reklamuar në televizion, duke prekur jo pak, por një pjesë të mirë të buxhetit të reklamës” – thotë Ilir Dyrmishi, Drejtor Promocioni në Vizion Plus. Pavarësisht se ka pasur një lloj tërheqje në reklamim, situata ka nisur disi të normalizohet. Armand Shkullaku, nga TV KLAN, pohon se biznesi nga ana tjetër është bërë më hulumtues në përzgjedhjen e ekranit dhe fashës orare se kur do të reklamojë.

“Ajo që vë re është se biznesi në Shqipëri ka nisur të jetë më kërkues, më hulumtues. Nëse dikur shpërndahej reklama me hamendje, sot bëhen sondazhe audience, grupmoshe dhe reklamë e targetuar. Kjo situatë është një lehtësim për televizionin nga ana tjetër, pasi është vetë biznesi që merr përsipër koston e gjetjes së emisionit, fashës orare dhe targetit që i leverdis. Ne në Shqipëri kemi mungesë të madhe dhe jemi tek vendet e rralla që s’kemi matje audience. Kur të kemi një strukturë që bën matje dhe pranohet nga të gjithë, kjo do t’i shërbejë medias dhe biznesit” – nënvizon ai.

Programet “më të shtrenjta” dhe ato më “të lira” sa u takon reklamave 

“Monitor” përpunoi edhe këtë vit ofertat e tre televizioneve kryesore në vend në lidhje me çmimet e reklamës që ato aplikojnë në programet kryesore. Në raport me një vit më parë, duket se çmimet mbeten në të njëjtin nivel në shumicën e tyre.

Pritshmëria ishte që, për shkak të pandemisë dhe buxheteve më të kufizuara të marketingut nga bizneset, të kishte një ulje të lehtë, por zakonisht edhe uljet bëhen në kohë negocimi. Kjo do të thotë që gjatë fazës së negociatave për blerjen e kohës televizive, të aplikohen çmime të tjera nga ofertat zyrtare, duke pasur parasysh periudhën e reklamimit, fashat orare apo elemente të tjera shtesë.

Por cilat janë programet më të shtrenjta dhe më të lira brenda ekraneve?

Në Top Channel, “Portokalli” mban rekordin me 8750 lekë/sekondë për reklamat që transmetohen gjatë programit, ndërkohë që para programit, aplikohet tarifa 4410 lekë/sekondë. “Shiko kush luan” dhe “Hell’s Kitchen” janë të dytët, me çmim 7800 lekë/sekondë gjatë emisionit dhe 4000 lekë/sekondë para emisionit. Programet më të lira për reklamim janë “Fshatrat e Shqipërisë”, “Wake Up”, “Top Talk”, që para emisionit variojnë mes 625-750 lekë/sekondë, ndërsa gjatë emisionit, çmimi është 1250 lekë/sekondë.

Në TV Klan, “Opinion” dhe “Klanifornia” mbajnë çmimin më të lartë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjes së emisionit me 6750 lekë/sekondë, ndërsa para emisionit, çmimi është 3400 lekë/sekondë. “Zonë e Lirë” dhe “E diela shqiptare”, janë të dytët, me 5400 lekë/sekondë për transmetimin gjatë programit, ndërkohë që para tij është respektivisht 3400 lekë/sekonda dhe 1400 lekë/sekonda. “Stop” dhe serialet në “prime time” mbajnë vendin e dytë me 4400 lekë për reklamat gjatë transmetimit. Programi më i lirë për reklamim është “Aldo Morning Show” me 550 lekë/sekondë para programit dhe 950 lekë/sekondë gjatë programit.

Vizion Plus, në listën e programeve më të shtrenjta për reklamim, ka “Këngë Moj” dhe “Al Pazar” me 6600 lekë/sekondë për transmetimin gjatë emisionit ndërsa para emisionit, çmimi është 3000 lekë/sekondë. “Talk Show me Alban Dudushin” dhe “Binjakët” me 5000 lekë/sekondë, për reklama gjatë emisionit dhe 2500 lekë para tij. Emisionet me çmimet më të lira të reklamimit në ekranin e Vizion Plus janë “7 pa 5”, në mëngjes, me 300 lekë/sekondë para emisionit dhe 600 lekë gjatë transmetimit, ndërkohë që “Next” vjen i dyti me 500 lekë/sekondë para programit dhe 600 lekë gjatë transmetimit.

Televizionet i qëndrojnë besnik strukturës, shtohet doza e politikës

Programet e reja në televizione nuk do të mungojnë edhe këtë sezon, por numri i tyre është më i ulët se vitin e shkuar. Kjo gjithsesi nuk është unifikuese dhe varion nga ekrani në ekran. Megjithatë, pjesa më e madhe kanë zgjedhur të mbajnë programet e tyre të strukturës që janë të sprovuar me vite, një pjesë të të cilave i kanë rikonceptuar duke i shtuar elemente të reja.

“Ne kemi bërë pak ndryshime dhe jo të forta, sepse programet që qëndrojnë prej vitesh në ekran mbeten më të pëlqyerit e audiencës. Një program është i mirë kur është i qëndrueshëm dhe bëhet familjar me publikun. Stabiliteti i jep frytet e veta, ndërsa luhatjet e shpeshta kanë dëmtuar jo pak televizione” – tha Shkullaku.

Nga ana tjetër, hyrja në një sezon, që përfshin një vit elektoral, duket se ka bërë që në disa televizione të shtohet doza e politikës. Në Vizion Plus shtohet një emision në “prime time”, tre herë në javë, pikërisht me fokus politikën dhe aktualitetin. “Pranvera Borakaj do të vijë këtë sezon në ‘prime time’ me një program politik. Jemi në vit zgjedhor dhe politika do të zërë një vend të veçantë në programacion” – shprehet Ilir Dyrmishi. Edhe në RTV ORA, do të ketë një emision të ri, i fokusuar te politika që vjen nën moderimin e Alfred Lelës.

Në Top Channel, politika do të mbulohet nga “Open” e Eni Vasilit, dy herë në javë, ndërsa në Klan, “Opinioni” i Fevziut do të transmetohet në të njëjtat ditë dhe orare si në sezonet e kaluara, me fokus edhe më të gjerë sesa politika dhe aktualiteti.

Shtohen formatet “dating” në televizionet shqiptare 

Pjesa e programeve argëtuese në televizione ka qenë gjithmonë dinamike, ku përpos prodhimeve origjinale të vetë televizioneve, një pjesë e rëndësishme ka qenë edhe blerja e patentave ndërkombëtare. Në vitin 2020 duket se po bie në sy më së shumti një orientim drejt formateve “dating”, apo të historive të dashurisë. Në Klan është njoftuar nisja e një programi që do të prezantohet nga Alketa Vejsiu, “Love Story”, ku disa vajza do të jenë në njohje të një beqari, me synimin për të finalizuar një çift në fund të sezonit.

Top Channel, nga ana tjetër, parashikon që të nisë transmetimin e një formati po dating si “Take me out”. Transmetimi i tij ishte menduar pikërisht atëherë kur vendi u paralizua nga karantina dhe gjithçka u pezullua për një moment tjetër. Ndërkohë në Top Channel vazhdon në një sezon të dytë programi “Përputhen”, që ka në thelb sërish njohjet dhe krijimin e çifteve.

INTERVISTAT

Vjollca Dedei, agjente për blerjet e programeve të huaja në Top Channel

Vjollca Dedei, agjente për blerjet e programeve të huaja në Top Channel

“Blerjet iu përshtatën ‘smart working’, negocimi ishte ndryshe”

Teksa nevoja për distancim fizik, si masë për mospërhapjen e virusit, bëri që disa programe show të mbylleshin, plotësimi i programacionit ishte një tjetër sfidë.

Vjollca Dedei, agjente për blerjet e programeve të huaja në Top Channel, tha se u bënë blerje emergjente për të plotësuar programacionin, por duke mos cenuar cilësinë. Sa i takon sezonit të ri, ajo tregon se negocimi ka qenë ndryshe këtë vit, por gjithçka është mbyllur me sukses.

Cilat janë blerjet e reja në këtë sezon sa u takon telenovelave apo serialeve? (blerjet nga Italia, tregu amerikan etj.)?

Ky sezon fillon nën një presion, jo të vogël, me frikën e një vale të dytë të COVID-19, gjë e cila ka ndikimin e vet në prodhimin e programeve të cilat duhet t’u përshtaten kushteve të reja.

Aktualisht, kemi blerë dy telenovela portugeze, “Nazare”, e cila ka filluar transmetimin, një telenovelë që është ende në transmetim premierë në Portugali. Pra është prodhim i fundit dhe i vlerësuar me çmime në kategorinë e saj në festivale ndërkombëtare. Titulli tjetër është “Tangled Lives” (Jetë të ngatërruara), edhe ky prodhim i vitit 2019-2020.

Gjithashtu janë dhe dy formate. Njëri është sezoni 3 i “Hell’s Kitchen”, prodhimi i të cilit ka përfunduar dhe fillon së shpejti transmetimin. Një format tjetër shumë interesant, prodhuar në shumë vende të botës me shumë sukses është “dating format” i Fremantle “Take me out”. Transmetimi i tij ishte menduar pikërisht atëherë kur vendi u paralizua nga karantina dhe gjithçka u pezullua për një moment tjetër. Pa frikë, do ta shijoni në ekranin e Top Channel së shpejti. Gjithashtu jemi në negociata me disa kompani për disa seriale të jashtëzakonshëm.

Si është raporti mes prodhimeve tuaja dhe atyre të blera, cili dominon? 

Në Top Channel dominojnë programet dhe show-t e prodhuara në Top Channel.

A ka qenë më i vështirë apo më i lehtë negocimi dhe blerja këtë vit, duke pasur parasysh situatën e pandemisë? 

Nuk mund të them as më i lehtë dhe as më i vështirë. Ishte ndryshe. Oraret e punës kishin ndryshuar. Ndërsa rrinim në shtëpi, oraret e punës humbnin në kohë. Bisedoje me ta në çdo kohë. Të gjithë ishin të trembur nga një ndodhi e beftë. Të gjithë punonin nga shtëpia, online. Hera-herës kjo situatë ndihmonte me çmimet, por kishte raste të tjera kur ishin të gatshëm të mbyllnin kontratën me kushtet e tua, po meqë të gjithë rrinin në shtëpi, nuk kishin mundësi të të dërgonin materialet dhe gjërat nuk funksionin.

Pastaj programacioni kërkonte ndryshim të menjëhershëm, pasi disa show u hoqën nga transmetimi, për shkak të pandemisë dhe programet e blera ishin një emergjencë. Por ishte bukur se shpesh ndodhte që merrje telefonata nga kolegët e tu në botë, që thjesht pyesnin për shëndetin dhe ndanin panikun e mendimet e tyre me ty, duke qetësuar njëri-tjetrin.

Albert Dumani, Drejtor programacioni & Blerjesh në TV KLAN

Albert Dumani, Drejtor programacioni & Blerjesh në TV KLAN

“Pandemia nuk ndikoi te çmimet e blerjeve, por vështirësoi planifikimin”

Pandemia i ka bërë më të vështira planifikimet në programacion. Albert Dumani, Drejtor programacioni & Blerjesh në TV KLAN, thotë se ndonëse çmimet nuk kanë ndryshuar sa u takon blerjeve në tregjet e huaja, ka qenë disi më e gjatë koha e negocimit, për shkak të punës nga shtëpia që përfshiu të gjithë globin.

Ai shton se si për kompanitë prodhuese, ashtu dhe për vetë drejtorët e programacionit, koha ka qenë më e gjatë, pasi ishin parashikuar dhe kontraktuar shumë më tepër episode për sezonin që sapo lamë pas, por prodhimi dhe xhirimi u ndërprenë si në SHBA, Turqi, Brazil apo vende të tjera.

A ka pasur COVID-19 ndikim te televizionet dhe programacioni i tyre, nëse po, si janë prekur në lidhje me përmbajtjen apo buxhetet?

Situata që kaluam dhe po përjetojmë ka ndikuar gjatë gjithë kohës në televizion. Si fillim, akti normativ me jo më shumë se dy persona në studio “mbylli” javët e para spektaklet e mëdhenj me shumë artistë dhe persona në studio si “Klanifornia” apo “Në kurthin e Piter Pan”. Ndërsa emisionet e tjera u përshtatën duke u “cunguar” sado pak me lidhje direkte, duke zbatuar rregullin.

Ne arritëm të krijonim versione të tjera të këtyre spektakleve dhe emisioneve, në mënyrë që ato të vazhdonin transmetimin, prandaj rifilluam “Klanifornia” me xhirime në ambiente të jashtme, apo “Në kurthin e Piter Pan” në lidhje direkte. Gjithsesi TV KLAN ishte i vetmi televizion në Shqipëri që nuk e ndali, për asnjë moment, prodhimin dhe transmetimin, nuk pati asnjë shkurtim apo pezullim në burime njerëzore, edhe pse të ardhurat u reduktuan ndjeshëm.

Ana tjetër e impaktit ishte rënia e marketingut, sepse me mbylljen e shumë kompanive, edhe reklamimi i tyre në televizion u ndërpre. E vetmja gjë pozitive e këtij virusi, ishte rritja e audiencës, meqë njerëzit rrinin brenda në shtëpi dhe mua personalisht më vjen mirë që TV KLAN ishte pjesëtari plus në familjet e tyre, i cili u shërbente sidomos në atë periudhë izolimi, për të kaluar me sa më pak stres dhe mërzi orët e gjata “të ngujuar” brenda katër mureve.

Cilat janë blerjet e reja që do të mund të ndjekim në ekranin e Klan në këtë sezon sa i takon telenovelave apo serialeve? (blerjet nga Turqia, tregu amerikan etj.)

Në vazhdën e prodhimeve më të mira ndërkombëtare dhe serialeve më të ndjekur në botë dhe ato që kanë thyer rekordet në shikueshmëri në Netflix, këtë sezon do të jepet për herë të parë në televizion, seriali super i ndjekur epik “Vikings”, me 89 episodet e tij në total. Një superproduksion irlandezo-kanadez, me aktorë brilantë dhe skena madhështore, vjen premierë në TV KLAN nga fillimi i vitit që vjen.

Gjatë këtij sezoni do të vazhdojnë premierë sezonet 6 dhe 7 të serialit tjetër të suksesshëm “The Blacklist”, duke mbetur në pritje në sezonit 8, i cili besoj do të shfaqët në SHBA si fillim në 2021 dhe do të shfaqët më vonë edhe në TV KLAN. Gjithashtu, këtë sezon, pas muajit shkurt 2021, do të jetë premierë ekskluzive sezoni i ri i Narcos: Mexico. Edhe sezoni i tretë i ri i serialit që bëri bujë sezonin e kaluar “Fauda”.

Në lidhje me titujt nga Turqia, me plot bindje them që suksesi do të vazhdojë dhe në ekran do të shfaqen serialet nr.1 në Turqi por jo vetëm. Aktualisht po shfaqet seriali turk “Stuhi dashurie”. Menjëherë pas tij, më 7 nëntor, do të këtë premierën seriali fenomen i 2020 “Doktori i mrekullive”, një serial dramatik për një doktor gjeni i cili vuan nga autizmi, por e gjen veten si mrekullibërës në pacientët që ai kuron. Ky është një skenar ndërkombëtar, sepse ekzistojnë tre versione të këtij seriali, atij korean (origjinali), një version amerikan (The good doctor) dhe versioni turk, i cili është shpallur versioni më i mirë dhe fitues i disa çmimeve.

Por në këtë sezon do të fillojë një tjetër prodhim dramatik me kastin më të jashtëzakonshëm të aktoreve “Babil”. Gjatë këtij sezoni do të këtë edhe të tjera premiera si “Kudo bashkë”, një komedi romantike me aktorët më të dashur turq, apo titulli tjetër “Kampioni im”, me aktorin Togahan Sayisman. Do të vijojë sezoni i 5 i “Cukur”, sezoni i dytë i “Osmani” dhe sezoni i katërt i “Kryeqyteti-Abdulhamid”. Ka dhe disa tituj të tjerë, të cilët do të vijnë premierë pas përfundimit të serialeve që janë aktualisht në transmetim.

A ka qenë më i vështirë apo më i lehtë negocimi dhe blerja këtë vit, duke pasur parasysh situatën e pandemisë? 

Ka qenë i vështirë në kontaktin që kam pasur me distributorët e huaj, sepse shumica e tyre punon nga shtëpia, kështu që komunikimi me ta ishte më i gjatë këtë vit. Në lidhje me çmimin, pandemia duket se nuk ka ndikuar. I vetmi problem si për kompanitë prodhuese, ashtu dhe për mua në planifikim programacioni, ka qenë kohëzgjatja, sepse ishin parashikuar dhe kontraktuar shumë më tepër episode për sezonin që sapo lamë pas, por prodhimi dhe xhirimi u ndërpre si në SHBA, Turqi, Brazil apo vende të tjera.

Si po orientohet audienca në preferencë në lidhje me atë që sheh në ekran?

Audienca vazhdon të zgjedhë dhe të ndjekë programet që ne ofrojmë. Ne shfaqim atë që audienca pëlqen dhe shifrat e audiencës e tregojnë këtë simbiozë, ato janë gjithmonë në rritje. Ne zgjedhim më të mirën si në prodhimet tona, ashtu dhe në programet e blera ndërkombëtare dhe çdo program i yni është i pëlqyer.

Si e shihni konkurrencën që kanë platforma te tilla si Netflix karshi televizioneve?

Edhe pse media po shkon drejt opsionit “online”, sepse vrulli i jetës nuk të lë shumë kohë për të qëndruar para ekranit, televizioni mbetet ende “aparati” tradicional për t’u argëtuar dhe për t’u informuar. Jemi ende në kohën e televizionit, sidomos në Shqipëri dhe veçanërisht te mosha mbi 30 vjeç, të cilët nuk janë shumë të dhënë pas platformave online.

Gjithashtu shumica e serialeve, si ato turke apo programet që ne prodhojmë, nuk gjenden në “Netflix”, kështu që shikueshmëria në TV është e garantuar. Shifrat e audiencës tregojnë që edhe të rinjtë vazhdojnë të shohin seriale, spektakle apo emisione të ndryshme që shfaqen në TV KLAN. Madje aq magji është televizioni, saqë edhe serialet që janë në Netflix, rishikohen në televizion sepse “të shijon” më shumë!

Armand Shkullaku, Drejtori i Programeve në TV Klan

Armand Shkullaku, Drejtori i Programeve në TV Klan

“Kostot e prodhimit të programeve televizive janë rritur”

Të prodhosh sot një program në televizion është më shtrenjtë se në periudhën para pandemisë. Armand Shkullaku, Drejtori i Programeve në TV Klan, pohon se kjo vjen si efekt i distancimit, si masë për mospërhapjen e virusit, që do të thotë se njerëzit angazhohen më pak. Nga ana tjetër, mungesa e publikut në programe ku është e nevojshme prania e tij, për hir të atmosferës, është një tjetër pengesë.

Ai tregon se edhe programet i janë përshtatur normalitetit të ri. TV Klan, këtë sezon, nuk ka bërë ndryshime të forta në program, duke ruajtur ato që janë pjesë kryesore e strukturës dhe prej shumë vitesh marrin miratimin e audiencës. Sipas Shkullakut, ndryshimet e forta jo gjithmonë shërbejnë për mirë, madje në disa raste kanë sjellë humbje të mëdha për televizionet.

Si e gjen sezoni i ri televizionin Klan sa i takon programeve të reja dhe atyre ekzistuese?

Ne kishim një sezon të kaluar të suksesshëm dhe kjo na ka bërë që të mos bëjmë ndryshime të mëdha në programe. Ndaj ato emisione që kanë mbi një dekadë në televizionin Klan dhe kanë audiencë, do të vazhdojnë të mbeten. Emisione më të lehta, si emisioni i gatimit “Aromë dreke”, apo një tjetër që e nisëm vjet, “Historia ime”, me Mirela Milorin, do të mundohemi që t’i konsolidojmë më shumë. “Historia ime” do të jetë “prime time” të dielën në Klan Plus, në një bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe” duke synuar një impakt më të madh te njerëzit.

Pra një program që jo vetëm të sjellë dëshmi dhe fakte nga situata dramatike të njerëzve në nevojë, por të ndiqet dhe të realizohet ardhja në ndihmë ndaj këtij grupi konkretisht. Do të kemi një tjetër program, që është në kahun e entertainment (argëtim) dhe e sjell Grabocka me Alketa Vejsiun. Bëhet fjalë për “Love Story” e para e këtij lloji në Shqipëri. Mbetet në vazhdën e atyre programeve që kemi pasur sezoneve të kaluara si “Dancing with the Stars”, në “Kurthin e Piter Pan”. Spektakli vazhdon, por këtë herë me diçka tjetër.

I gjithë globi është nën efektin e pandemisë dhe kjo ka ndikuar jetën e çdo qelize të ekonomisë dhe përditshmërisë së njerëzve. Si ka ndikuar pandemia në pjesën e televizionit? Si janë kostot e prodhimit të një programi në raport me para pandemisë?

Prodhimi në kohë pandemie është më i shtrenjtë, sepse njerëzit duhet të angazhohen më pak për të ruajtur veten dhe të tjerët nga përhapja e mundshme e virusit. Është më e vështirë të prodhosh, pasi mungesa e publikut ndihet në atmosferën e programeve.

Kjo është një lloj pengese. Ne u detyruam që edhe në sezonin e kaluar, produksionet si “Klanifornia” t’i xhironim jashtë për shkak të mungesës së publikut dhe moslejimit të më shumë se dy personave në të njëjtin ambient. Koha e pandemisë i ndikon sidomos televizionet, edhe pse është një fenomen që prek të gjithë mediat pa përjashtim. Specifike është përshtatja në këtë kohë për realizimin e programeve.

Ka një rritje të vazhdueshme të interesit për Netflix dhe kjo raportohet nga statistikat globale. A e ndien televizioni konkurrencën e platformave të kësaj natyre?

Platformat nuk janë konkurrencë, pasi ky fenomen ndodh kudo. Koha e ndjekjes së televizionit në mënyrë tradicionale ka ndryshuar. Gjithkush mund të shohë programin që do dhe atëherë kur do për shkak të teknologjisë. Kjo sa u takon filmave.

E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është sporti, pasi atë nuk e sheh dot të regjistruar. Ne si Klan kemi marrë disa filma nga Netflix dhe kjo shërben për të rritur pak cilësinë artistike dhe të prodhimit, pasi janë realizime cilësore, por kjo është njëra anë. Të mendosh që të konkurrosh platforma të tilla nuk është diçka e mirë. Televizioni ka një rol të caktuar, që nuk shkon paralel me konkurrencën e këtyre platformave.

Nëse flasim për audiencën, si reflektohet zgjedhja e saj të programacionin juaj? 

Ajo që është garanci për të mbajtur audiencën lidhet me atë që e njohim si ABC-në e një programi, i cili ka në thelb qëndrueshmërinë e realizimit të tij. Publiku mësohet me programin, lidhet me të dhe do që ta shohë. Ne kemi bërë pak ndryshime dhe jo të forta, sepse programet që qëndrojnë prej vitesh në ekran mbeten më të pëlqyerit nga audienca.

Kemi programe të tilla si “E Diela” e Arditit, që mbetet e pakonkurrueshme, është “Opinioni” i Fevziut, Arian Çani me “Zonë e Lirë”, “Aldo Morning Show” apo Rudina. Janë të gjithë emisione strukture, që audienca është lidhur me to. Kemi edhe “Stop” që është në ngritje. Një program është i mirë kur është i qëndrueshëm dhe bëhet familjar me publikun. Stabiliteti jep frytet e veta ndërsa luhatjet e shpeshta, kanë dëmtuar jo pak televizione.

Duke pasur parasysh pandeminë, si ka qenë interesi i biznesit për të reklamuar?

Mundësitë lidhen me krizën ekonomike që ka shkaktuar pandemia. Gjithsesi përtej kësaj, pjesa e marketingut ka vazhduar dhe ajo që vë re unë është se biznesi në Shqipëri ka nisur të jetë më kërkues, më hulumtues. Nëse dikur shpërndahej reklama me hamendje, sot bëhen sondazhe audience, grupmoshe dhe reklamë e targetuar.

Kjo situatë është një lehtësim për televizionin nga ana tjetër, pasi është vetë biznesi që merr përsipër koston e gjetjes së emisionit, fashës orare dhe targetit që i leverdis. Ne në Shqipëri kemi mungesë të madhe dhe jemi te vendet e rralla që s’kemi matje audience. Kur të kemi një strukturë që bën matje dhe pranohet nga të gjithë, kjo do t’i shërbejë medias dhe biznesit.

Ilir Dyrmishi, Drejtor Promocioni në Vizion Plus

Ilir Dyrmishi, Drejtor Promocioni në Vizion Plus

“Jemi në vit elektoral, ndaj shtojmë hapësirën për politikën”

Vitin e ardhshëm, pritet që të mbahen zgjedhjet e radhës për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj të legjislativit. Vizion Plus ka parë të arsyeshme që në kuadër të kësaj, të rrisë numrin e programeve që përfshijnë politikën duke e argumentuar këtë si një mundësi ku publiku të informohet për alternativat nga të gjithë palët.

Ilir Dyrmishi, Drejtor Promocioni në Vizion Plus, thotë se përveç emisionit të ri që do të jetë në “prime time” me fokus te politika janë edhe një sërë programesh të reja apo ekzistues dhe të riformatuar, që do të shtohen në ekran.

Ai vlerëson se pjesë e rëndësishme vazhdojnë të mbeten serialet turke, ku një pjesë e tyre vazhdojnë prej disa sezonesh, si një konfirmim i kërkesës së audiencës për to.

A ka pasur COVID-19 ndikim te televizionet dhe programacioni i tyre, nëse po, si janë prekur në lidhje me përmbajtjen apo buxhetet?

Sigurisht që situata e COVID-19 ka pasur ndikim në programacion, veçanërisht në pjesën e parë të sezonit, kur shumë programe u strukturuan, duke iu përshtatur situatës. Sa u takon buxheteve në përgjithësi, televizioni vendosi të mos i prekë ato, pavarësisht ndikimit që pati tregu i reklamave nga situata e COVID-19, madje vendosëm që për shkak të situatës, disa programe t’i mbanim “on air” edhe më gjatë se sezoni i parashikuar si p.sh., “Al Pazar” që ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit e mbylli sezonin në fund të qershorit, ofruam për teleshikuesit gjatë periudhës së verës programe të reja dhe evente të rëndësishme si UCHL gjysmëfinale dhe finale, UEFA Cup që do të jetë në Shtator, programi për ekonominë, debutoi me sukses “Armiku i popullit” dhe vijuam me seritë premierë të serialeve dhe filmave. Gjatë kësaj periudhe, nëpërmjet programacionit, jemi përpjekur që t’u përcjellim teleshikuesve mesazhin që jeta vazhdon.

Cilat janë programet ekzistuese që mbeten në ekranin e Vizion Plus dhe cilat janë ato të reja që shtohen në këtë sezon? (Po patenta ndërkombëtare)

Programet historike që janë konfirmuar dhe për këtë sezon në Vizion Plus janë “7 pa 5”, i cili do të vijojë si format, por me prezantues të rinj dhe përmbajte të riformatuar. Do të vijojë “Vizioni i pasdites”, nën moderimin e Evi Reçit, “Al Pazar” rikthehet me risi në formë dhe përmbajte, “Fake off”, formati satirik i përditshëm, i cili nisi gjatë pjesës së parë të vitit, rikonfirmohet këtë sezon në “prime time” nga e hëna në të premte çdo ditë.

Ndërkohë rikthehet në transmetim edhe “E-Zone”, dritarja e ekonomisë, çdo të diel me Rajmonda Lajthia, ku sipërmarrës apo aktorë të fushës diskutojnë dhe u japin zgjidhje problematikave në funksionimin e një prej fushave më jetësore të shoqërisë. Sigurisht nuk kemi lënë pas dore dhe të rinjtë. “Next” do të vijë në ekran këtë sezon me figurë dhe përmbajtje të re.

Kryefjala këtë vit do të jetë prodhimi në Vizion Plus, programe dhe figura të reja do t’i shtohen dhe do të pasurojnë programacionin. Duke marrë në konsideratë situatën, kemi vendosur të investojmë në formatet lokale, figurave të Vizion Plus do t’u shtohen emra të rinj dhe programe të reja. Vëllezërit Laço do të vijnë me një format të ri “Këngë moj”, të cilët do të na shoqërojnë çdo të martë në “prime time”, Alban Dudushi vjen në Vizion Plus me një program, i cili do të jetë në transmetim tre herë në javë, ku do të trajtohen çështje politike dhe sociale.

Një nga figurat historike të Vizion Plus, Pranvera Borakaj, do të vijë këtë sezon në “prime time” me një program politik. Jemi në vit zgjedhor dhe politika do të zërë një vend të veçantë në programacion. “Natën e mirë dhe paçi fat” nga Sokol Bregu është një format e ri, i cili do të trajtojë ngjarjet kriminale që kanë tronditur vendin ne vite, duke i analizuar me fakte dhe ekspertë.

Në fakt, për Sokol Bregun është një rikthim në Vizion Plus, pasi ka qenë pjesë e stafit historik të televizionit në të cilin ka qenë autor dhe gazetar/moderator i emisionit “Shënjestra X”. “Jonida’s Room” është emisioni më i ri i “lifestyle”, i cili do të transmetohet të shtunën në “prime time”. Kush mund ta prezantojë më mirë stilin se sa një ikonë e stilit si Jonida.

Pas kalimit me sukses të testit gjatë periudhës së vërës, emisioni “Armiku i popullit” do të jetë këtë sezon i plotë në “prime time” një herë në javë. Është një emision satirik, i cili parodizon aktualitetin në Shqipëri, vjen i moderuar nga Ardit Roshi. Romeo dhe Donald Veshaj, të cilët njihen për publikun si binjakët, do të vijnë në ekran me një format të ri në “late night”, që do t’i ofrojë spektatorit një alternativë të re për të kaluar mbrëmjet e vona. Ka dhe shumë projekte të tjera, të cilat janë në fazë vendimmarrje dhe do të publikohen në një moment të dytë.

Po sa u takon serialeve të huaja, cilët janë titujt e rinj që keni blerë dhe do të mund t’i shohim në ekran?

Vizion Plus është kujdesur gjithmonë në përzgjedhjen e serialeve që të ofrojë jo vetëm prodhime cilësore, por dhe me mesazh. “Grua” është titulli më i ri që do të nisë në tetor, nga e hëna në të premte, në orën 17.00. Është një nga prodhimet më të suksesshme të dy viteve të fundit, i cili trajton kurajën dhe forcën e gruas në shoqëri. Është vlerësuar me pesë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe me 13 kandidime.

Për shkak të suksesit, seriali ka qenë në transmetim në tre sezone në Turqi dhe është renditur i pari për audiencë në ditën e transmetimit. Këtë sukses e ka aktualisht në të gjitha vendet ku po transmetohet. Më i fundit është Spanja (Antena 3) ku po renditet si seriali më i ndjekur në televizionin spanjoll, premiera e të cilit u ndoq nga mbi një milion teleshikues. Jemi të bindur që dhe në Shqipëri do të ketë të njëjtin sukses.

Një serial tjetër po aq i suksesshëm, që do të vijë në “prime time”, nga e hëna në të premte, është “Motrat” (Kardes Çocuklari) i cili ka mbledhur një kast të jashtëzakonshëm aktorësh shumë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar dhe trajton temën e familjes, aq shumë e prekshme dhe aktuale edhe në Shqipëri. Do të vijojë me seritë e reja “Molla e ndaluar”, e cila pas suksesit të padiskutueshëm në Turqi, po vijon transmetimin me sezonin e ri. Do të jetë një herë në javë në “prime time”. Janë në diskutim kontrata të reja me studiot europiane, por marrëveshjet do të publikohen në momentin që do të konfirmohen nga të dyja palët.

Cili do të jetë raporti që do të mbajë Vizion Plus sa i takon politikës, argëtimit dhe informimit në këtë sezon, a kemi ndryshim të balancave, duke shtuar njërën dhe duke pakësuar tjetrën?

Si televizion kombëtar, struktura programore e Vizion Plus ka qenë gjithmonë e ndërtuar në raport me sjelljen ditore të audiencës, duke qenë pranë shijeve dhe kërkesave të saj. Si një televizion gjeneralist, jemi një pasqyrë e aktualitetit dhe gjithçkaje ndodh në vend e në botë, duke e përcjellë atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi në prag të një viti elektoral, ndaj dhe balanca do të anojë tek politika, duke i dhënë asaj më tepër hapësirë.

Jo pa qëllim, në këtë sezon, e nisim dhe e mbyllim javën me dy programe politikë në “prime time”, duke i dhënë mundësinë të gjitha palëve politike garuese në zgjedhje të kenë hapësirën e mjaftueshme për shpalosjen e alternativave. Vizion Plus është një media e pavarur, në opozitë me këdo që cenon apo shkel interesin publik, zëri i fortë qytetar që kërkon të dëgjohet fort, i angazhuar për të përmbushur në çdo moment misionin fisnik me përgjegjësi të plotë.

Shtimi i hapësirës së politikës pa dyshim që nuk cenon formatet e tjera brenda strukturës programore të televizionit, të cilat do të vijojnë transmetimin në ditët e tyre tradicionale. Kjo do të thotë që të gjithë dashamirësit e humorit, të pasionuarit e muzikës shqip, si dhe kritikët e satirës do ta gjejnë veten e tyre në formatet argëtuese “Këngë Moj”, “Al Pazar” dhe “Armiku i Popullit” edhe në këtë sezon në Vizion Plus.

Si ka qenë qasja e biznesit për të reklamuar në ekrane? Sa është ndikuar kjo nga pandemia?

Pavarësisht, sikurse e theksuam edhe më lart që puna jonë nuk u ndal për asnjë moment, nga ana tjetër biznesi pati një tërheqje. Kjo edhe për shkak të pasigurisë së krijuar rreth një situate që ende sot, askush nuk mund të thotë sesa mund të zgjasë dhe se kur do të mund të përfundojë. Rialokimi i fondeve dedikuar marketingut në favor të zërave të tjerë brenda shumicës së bizneseve, pati impakt edhe në qasjen e biznesit, për të reklamuar në televizion, duke prekur jo pak, por një pjesë të mirë të buxhetit të reklamës.

Nga ajo që keni vënë, re a ka pasur ndonjë ndryshim në sjelljen e audiencës, çfarë po pëlqehet më shumë këto kohë?

Nisur edhe nga zhvillimet e fundit, dhe situatës së pazakontë që ndodhemi, kemi konstatuar që trendi i audiencës po shkon më tepër drejt zhanrit informativ dhe argëtues, spektakleve argëtuese dhe atyre të humorit, pa anashkaluar as serialet, qasja e cilëve vijon të mbetet konstante. Formatet politike kanë kryesisht një trend në rënie, ndoshta edhe për shkak të lodhjes me tema shpesh të ripërsëritura dhe rënies në përgjithësi të interesit dhe besimit se politika do të mund të jetë çelësi i zgjidhjes së problemeve. Vijon të ketë interes për tema sociale dhe kryesisht të aktualitetit.

Rezart Aga, Drejtor Programacioni, Radio Televizioni Shqiptar

Rezart Aga, Drejtor Programacioni, Radio Televizioni Shqiptar

“Kemi bërë rikonceptime, shtojmë më shumë dokumentarë”

Radio Televizioni Shqiptar, si një televizion publik, nuk e ndien presionin e orientimit të programacionit në funksion të biznesit.

Edhe në këtë vit të pandemisë, duket se është prekur më pak sa u takon të ardhurave pasi shumica e tyre nuk sigurohet nga reklamat, por nga taksapaguesit shqiptarë. Drejtori i programacionit, Rezart Aga, tha se për shkak të pandemisë nuk ka pasur orientim drejt programeve të mëdha, por më shumë drejt atyre fiction, reality. Po kështu, RTSH ka shtuar më shumë në “menunë” e tij pjesën e dokumentarëve.

Situata e pandemisë ka ndikuar edhe televizionet, si është reflektuar kjo në programacionin e RTSH? Po kostot si kanë qenë?

Pa diskutim, si çdo televizion, edhe ne kemi bërë përshtatjet tona lidhur me situatën që u krijua për shkak të pandemisë. Sa i takon kostos së prodhimit, ajo është më e lartë, sepse nuk janë në punë të gjithë kapacitetet, njerëzit largohen për hir të distancimit.

Në këtë sezon të ri ku jeni fokusuar dhe si i keni përshtatur programet?

Së pari, nuk jemi rikthyer në masë tek ato programe që më herët kanë pasur prani të publikut në studio, por që tani duhen bërë pa publik. Kemi bërë një lloj rikonceptimi dhe po bëjmë disa programe investigim, reality, fiction, dokumentar, krim, ku nuk kërkohet publik.

Janë me tematika dhe dinamikë interesante. Këtë vit do të ketë mangësi në entertainment (argëtim) dhe kjo është e padiskutueshme, por kjo nuk na pengon për avancuar me ato projekte të mëdha që janë të rëndësishme, si Festivali i Këngës, Viti i Ri, dhe një emision për fëmijë që do të jenë në parametra maksimalë.

Po sa iu takon blerjeve tuaja, çfarë mund të veçojmë?

Kemi bërë disa blerje, por janë kryesisht dokumentarë të nivelit shumë të mirë investigativ, histori personale. RTSH ka bërë disa lloj blerjesh, sepse jemi 12 kanale dhe kemi arritur që të marrim me sukses ato që kemi cilësuar si të rëndësishëm.

Po pjesa e reklamave nga bizneset, si ka qenë dhe si e shihni të orientuar audiencën?

Ka diçka të rëndësishme që RTSH financohet nga taksat e qytetarëve shqiptarë, ndaj në fokus të programit qëndron ajo që gjykohet se i shërben më mirë interesit të publikut dhe normalisht, nuk i referohet ndonjë programi për një lloj konkurrence. Ne nuk kemi presionin për të bërë diçka siç e do biznesi, por siç e do publiku. Edhe në këtë sezon, ajo që do të ofrojmë është një lloj programacioni i riformatuar, ndërkohë që pjesën e argëtimit nuk e kemi lënë pas, duke pasur parasysh që është i nevojshëm në ekrane, por duke gjetur zgjidhje që funksionojnë dhe duke respektuar të gjithë rregullat.

RTV ORA: Pandemia e bëri biznesin më të tërhequr për reklama

Radio Televizoni Ora, ashtu si të gjithë mediat, e ka ndier presionin e pandemisë sa i takon jo vetëm prodhimit të programeve, por edhe reklamave të tkurrura nga biznesi.

Në një intervistë për “Monitor”, përfaqësues nga Bordi i televizionit Ora, thanë se situata tashmë është kapërcyer gradualisht dhe kompania i menaxhoi muajt më të vështirë, me rezervat e saj financiare. Sa i takon sezonit të ri, Bordi nënvizon se do të ketë programe të reja që i bashkohen një numri programesh ekzistues, me të cilat publiku është mësuar.

A ka pasur COVID-19 ndikim tek televizionet dhe programacioni i tyre, nëse po, si janë prekur në lidhje me përmbajtjen apo buxhetet? 

Ndikimi kryesor është ndier në periudhën prill deri në gjysmën e muajit maj 2020, kur TV Ora HD pati një pezullim të emisioneve entertainment (argëtuese), Show, atyre sportive, dhe rubrikat alternative të programacionit! Ndërsa redaksia e lajmeve vazhdoi punën e saj gjatë periudhës së pandemisë, duke qenë në krye të detyrës. Kuptohet në zbatim të rregullores anti-COVID.

Në gjysmën e dytë të muajit maj dhe qershor – korrik, periudhë e cila përkon edhe me mbylljen e sezonit mediatik 2019 – 2020, emisionet rifilluan, por ndryshe nga më parë me kufizime sa i përket publikut. Ky i fundit vazhdon të mos jetë pjesë e prodhimit televiziv si një masë parandaluese e përhapjes së COVID-19. Edhe elementet e tjera artistike u kufizuan në masë.

Kjo do të reflektonte direkt në buxhetin e medias, për arsye se shumë marrëveshje kontraktuale u tkurrën. Vështirësitë financiare janë ende të pranishme, por vërehet një rimëkëmbje shpresëdhënëse.

Cilët janë programet ekzistuese që do të mbeten në këtë sezon televiziv dhe ato të reja që do t’i shtohen ekranit tuaj?

Për sezonin e ri 2020 – 2021, ne kemi filluar me pothuajse 85% të programeve të sezonit të kaluar. Për këtë sezon ne sjellim për audiencën spektaklin “Dy botë”, një risi në mediat shqiptare, me producentin italian Pietro Zaniboni. Po ashtu vijmë me ndryshime në formatin politik “Politik On”, nga Alfred Lela.

Si është raporti mes prodhimeve tuaja dhe atyre të blera, cili dominon?

Kemi synuar në prodhimet tona dhe sigurisht ato mbizotërojnë.

Si ka qenë sjellja e biznesit për të reklamuar në këtë periudhë? A ju ka krijuar kjo vështirësi, si përballohen kostot e prodhimit të programeve?

Sigurisht klientët potencialë ndiejnë një lloj frike për të investuar në reklamimin e produktit të tyre, por kjo nuk do të thotë që ata janë tërhequr. Në këtë situatë pandemie, sigurisht shumica e shpenzimeve mbulohen edhe nga rezervat e kompanisë.

Si po orientohet audienca sa i takon zgjedhjeve në lidhje me atë që sheh në ekran?

Ekrani ynë është gjithëpërfshirës, ka në fokus çdo moshë në programacionin e tij. Duke filluar me programet informuese, ato për fëmijë, investiguese, ekonomike, kulturore, politike, artistike./monitor.al

Artikulli i mëparshëmBizneset harxhojnë para kot me personazhet e Instagramit joprofesionistë, VIP-at nuk kanë formim në fushën e marketingut (VIDEO)
Artikulli i radhësPaolo Maldini jep emrat e tre legjendave me të cilët e ka urryer gjithmonë të përballet