Moti i keq ka goditur rëndë Francën, ku stuhia Alex ka preku rajonin Brittany në veriperëndim dhe Cote d’Azur në juglindje të enjten pasdite.
Météo France tha në buletinin e të shtunës në mëngjes se pavarësisht se shirat janë dobësuar, rritja e nivelit të ujit në disa burime përbën kërcënim.
Vetëm në 24 orë në rajonin e ndikuar nga stuhia kanë rënë 500 mm shi. Deri tani raportohen gjithashtu dëme të shumta materiale dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për rreth 13500 abonentë.
Disa shtëpi janë shembur dhe qytetarët kanë filmuar rrëzimin dramatik të urës së Saint-Martin-Vésubie.
Autoritetet njoftojnë se fshati tani është tërësisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës.
Mbi 850 forca të emergjencave janë mobilizuar për të ofruar ndihmë për “viktimat e stuhisë Alex.”
Sipas ministrit të Brendshëm Gérald Darmanin katër helikopterë të forcave të Sigurisë Civile janë dërguar për të ndihmuar në operacionin e kërkim shpëtimit.