COVID-19: Gjiganti farmaceutik zviceran prezanton një test antigjenik

0

Gjiganti farmaceutik zviceran “Roche” do të prezantojë një test të ri antigjenik, i realizueshëm në volume të mëdha për të diagnostikuar COVID-19, njoftoi ai duke shtuar se ky test që mundëson marrjen e rezultatit në 18 minuta do të ndihmojë në lehtësimin e sistemit shëndetësor.

“I quajtur Elecsys SARS-CoV-2 Antigen, ky test i destinuar për t’u realizuar në laborator mundëson zbulimin e pranisë së antigjeneve specifike të sëmundjes”, theksoi grupi zviceran në një komunikatë.

Prezantimi i tij është planifikuar për në fund të vitit në vendet që pranojnë shenjën europiane të konformitetit CE. Grupi zviceran gjithashtu synon të paraqesë një kërkesë për autorizim të përshpejtuar për tregun amerikan.

“Testi mund të përdoret si një alternativë me testet PCR kur këto të fundit nuk janë të disponueshme ose nëse kapaciteti i testimit është nën presion për të ndihmuar profesionistët e kujdesit shëndetësor të kontrollojnë pacientët me simptoma të sëmundjes”, nënvizoi grupi zviceran.

Ky test është i destinuar për t’u realizuar në makineritë e ashtuquajtura ”Cobas”, të pranishme në shumë spitale dhe laboratorë, që mund të trajtojnë deri në 300 mostra në orë dhe të japin një rezultat në 18 minuta.

Numri një botëror i onkologjisë, ”Roche” mbështetet gjithashtu në një ndarje të rëndësishme të specializuar në diagnostikim, i cili kontribuon më shumë se 20% të të ardhurave të tij.

Artikulli i mëparshëmKoronavirusi vazhdon përhapjen te Milani, klubi kuqezi njofton të infektuarin e radhës para derbit
Artikulli i radhësGjykata e Jemenit dënon me vdekje Donald Trump për krime lufte