Gratë marrin në dorë trafikun e drogës në Fier dhe në Vlorë, arrestohen 6 prej tyre, kapet një sasi e madhe hashashi

0

9 persona janë vënë në pranga nga ana e Policisë së Fierit dhe të Vlorës në orët e fundit, pas kontrolleve të territorit kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në Vlorë janë vënë në pranga 4 gra, dhe një burrë, që po tentonin të mbillnin lëndë narkotike në një zonë të pyllëzuar. Ndërkohë që në Fier po ashtu janë vënë në pranga 4 persona, mes tyre dy gra, ndërsa është sekuestruar një sasi prej 100 kilogramësh lëndësh narkotike.

Organizatori i trafikut të drogës në Fier është identifikuar si Renato Bego, 57-vjeç. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e Begos, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 100 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa në proces tharjeje, 1 automatik me 2 krehra dhe 310 fishekë, 2 freskuese që shërbenin për tharjen e bimëve narkotike;

1 pres metalike që shërbente për presimin dhe paketim e lëndës narkotike, 7 palë gërshërë, 1 motoçikletë me targa të falsifikuara e trafikuar nga jashtë vendit, 4 aparate celularë, si dhe disa bimë të dyshuara narkotike të kultivuara në ambientin përreth banesës së 57-vjeçarit.

“Finalizohet me sukses nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, operacioni antidrogë i koduar “Hamili”. Sekuestrohen armë, drogë dhe municion luftarak. Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Fier, pas informacioneve të marra në rrugë policore dhe një hetimi disajavor, kanë bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor antidrogë të koduar “Hamili”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

R. (D). B., 57 vjeç, banues në Hamil, Fier (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale). S. K., 38 vjeç, E. K., 33 vjeçe, E. K., 31 vjeçe, banuese në Ndermenas, Fier.

Gjithashtu u procedua penalisht dhe një shtetase tjetër. Shërbimet e Policisë, në bazë të hetimeve të kryera dhe informacionit të grumbulluar kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R.(D). B, në fshatin Hamil, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit e lartpërmendur.

Gjatë kontrollit të kryer në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 100 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa në proces tharjeje, 1 automatik me 2 krehra dhe 310 fishekë, 2 freskuese që shërbenin për tharjen e bimëve narkotike, 1 pres metalike që shërbente për presimin dhe paketim e lëndës narkotike, 7 palë gërshërë, 1 motoçikletë me targa të falsifikuara e trafikuar nga jashtë vendit, 4 aparate celularë, si dhe disa bimë të dyshuara narkotike të kultivuara në ambientin përreth banesës së 57-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike””, njofton Policia e Fierit.

“Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit masiv të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., 59 vjeç, R. B., 58 vjeçe, F. R., 57 vjeçe, A. M., 55 vjeçe, banues në fshatin Llakatundë, Vlorë dhe E. Y., 39 vjeçe, banuese në fshatin Akerni, Vlorë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës duke tentuar të kultivonin bimë narkotike cannabis sativa në një zonë të pyllëzuar të fshatit Vllahinë, Vlorë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar përreth territorit ku u konstatuan bimët narkotike, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar dhe një sasi rreth 5 kilogramë cannabis sativa.
Materialet iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna intensive dhe kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit”, njofton Policia e Vlorës.

Artikulli i mëparshëmIva Tiço revoltohet me faljen e gjobave: Lajm i shkëlqyer për ne trapat
Artikulli i radhësKamboxhia, si luftohet varfëria ekstreme përmes shitjes së flokëve